Lajme të mira për Alban Bushin, sepse trajneri i Shpresave do të ketë mundësi të testojë sa më shumë talente në javët e ardhshme duke luajtur edhe disa takime miqësore. Skuadra përfaqësuese U-21 do të luajë një ndeshje miqësore me ekipin kombëtar U-21 të Bosnjes, në datën 28 maj në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19.00. Sektori i ekipeve kombëtare në FSHF ka zyrtarizuar sot një sfidë të tillë në rakordim edhe me federatën e Bosnjes.
Po kështu, ekipi përfaqësues U-21 në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor ka planifikuar më parë edhe dy ndeshje të tjera miqësore, respektivisht me datë 5 dhe 8 qershor, në orën 19.00, po në “Elbasan Arena” me përfaqësuesen e Bjellorusisë.
Kështu, skuadra e Alban Bushit në harkun e rreth dy javëve do të ketë mundësinë e tre testeve miqësore, për të parë gjendjen e skuadrës, si dhe për të vlerësuar ecurinë e deritanishme të lojtarëve potencialë të ekipit kombëtar U-21.
Natyrisht, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për shumë lojtarë që pretendojnë të veshin fanellën kuqezi dhe Bushi me shumë gjasa do të lërë pushim emrat kryesorë, që kanë qenë boshti i skuadrës në kualifikueset e Europianit U-21.
MIQËSORET
Shqipëri U21 – Bosnje-Hercegovinë U21, 28 maj Elbasan, 19.00 CET
Shqipëri U21 – Bjellorusi U21, 5 qershor, Elbasan, 19.00 CET
Shqipëri U21 – Bjellorusi U21, 8 qershor, Elbasan, 19.00 CET