Shqipëria U-20 debutoi me fitore në turneun “Al Dyar Al-Arabiya WAFF U19 Championship – KSA 2024” që po zhvillohet në Arabinë Saudite ku kuqezinjtë marrin pjesë së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Jordaninë, Kuvajtin, Jemenin, Libanin, Palestinën, Irakun, Sirinë, Bahrainin dhe Omanin.
Shqipëria U-20 që ndodhet në grup B me Libanin, Irakun dhe Jordaninë zhvilloi mbrëmjen e sotme ndeshjen e parë në Arabinë Saudite. Kuqezinjtë mposhtën Libanin me rezultatin 2-0, teksa golat i shënuan Erald Krasniqi dhe Jordi Jaku.
Trajneri Alban Bushi e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Libanit: Guilio Veliaj (GK), Denis Sulo, Antonios Dhama, Adi Kurti, Ermal Meta, Ergis Arifi, Ersi Syla, Oresti Kasamollari, Erald Krasniqi, Flavio Sulejmani (C) dhe Devi Metaj.
Shqipëria dominoi takimin dhe shënoi nga një gol për çdo pjesë. Në fundin e pjesës së parë kuqezinjtë zhbllokuan rezultatin me Erald Krasniqin i cili shënoi një gol të bukur me një goditje nga jashtë zone.
Në fraksionin e dytë trajneri Alban Bushi kreu disa zëvendësime dhe golin e dytë e realizoi Jordi Jaku në minutën e 65-të. Më pas Shqipëria administroi rezultatin dhe mori fitoren e parë në grupin B. Pas përfundimit të takimit sulmuesi Erald Krasniqi i cili shënoi edhe golin e parë u shpall lojtari i ndeshjes.
Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë më datë 28 qershor ndaj Irakut, ndërsa sfida e fundit e Shqipërisë U-20 në grupin B do të jetë ndaj Jordanisë më datë 30 qershor.