Kombëtarja U-19 ka triumfuar edhe në miqësoren e dytë ndaj Lihtenshtejnin, duke regjistruar një fitore të thellë 6-0. Përveç rezultatit që flet shumë, një paraqitje mjaft e mirë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj, që shpalosi futboll të bukur dhe raste të shumta për shënim përgjatë 90 minutave.
Në krahasim me miqësoren e parë të luajtur dy ditë më parë, tekniku bën pak ndryshime në formacion duke hedhur në fushë këtë 11-sh startues: Amarildo Dervishaj, Muhadin Sulejmani, Fabjan Përndreca, Renato Halili, Glenis Belloj, Ergis Arifi, Frederik Tosku, Dejvi Duro, Tedi Malaj dhe Ron Hasani.
Kuqezinjtë e nisin mirë lojën dhe e spostojnë lojën në mesfushën e kundërshtarëve, duke iu afruar vazhdimisht portës së Lihtenshtejnit. Do të vinte minuta e 27-të kur do të zhbllokohej rezultati me Glenis Bellojn, që nuhat gjithçka dhe gjendet në momentin e duhur në qendër të zonës, duke shtyrë në rrjetë një top që erdhi pas një krosimi nga e djathta.
Dyfishimi vjen në minutën e 39-të me Ergi Bastarin, i futur në lojë si zëvendësues në pjesën e parë, i cili finalizon bukur me një gjuajtje diagonale me të djathtën pas një kundërsulmi të shpejtë të kuqezinjve. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë 2-0 për Shqipërinë, teksa trajneri Ahmataj rifreskon forcat në pjesën e dytë duke bërë disa zëvendësime.
Kuqezinjtë e nisin menjëherë fort edhe fraksionin e dytë me Frederik Toskun, që realizon golin e 3-0 në minutën e 47-të, në një kohë që zëvendësuesit shfaqen protagonistë. Është fillimisht Ariel Krajka që gjen rrugën e rrjetës për të fiksuar pokerin kuqezi dhe në minutën e 66-të është James Noreci që godet saktë me një kthesë me të majtën, duke çuar shifrat në 5-0.
Goli më bukur i sfidës ishte padyshim ai i realizuar nga Dejvi Duro në minutën e 69-të të sfidës, me mesfushorin që realizon nga një goditje dënimi, teksa portieri mik nuk mund të bëjë asgjë për të bllokuar sferën.
Mbyllet kështu me fitoren 6-0 të Shqipërisë U-19 testi i dytë me Lihtenshtejnin, teksa miqësorja e parë e luajtur më 9 gusht përfundoi me fitoren e kuqezinjve 4-0 me gola të shënuar Tedi Malaj (2), Denis Prendi dhe Ron Hasani.
Të dyja miqësoret u zhvilluan në fushën e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë.