Kombëtarja U-19 do të jetë e para mes ekipeve kuqezi që rikthehet në fushë në muajin gusht pas pushimeve e impenjuar në një miqësore ndërkombëtare.
Skuadra e drejtuar tashmë nga trajneri Ervin Bulku do të luajë një miqësore luksi ndaj Italisë U-19, ekip që u shpall kampione e Europës për këtë grup-moshë vetëm pak javë më parë në fazën finale të turneut kontinental që u zhvillua në Maltë.
Ndeshja do të luhet në qendrën e ekipeve Kombëtare të Italisë në Koverçano më datën 9 gusht 2023, ndërsa stafi teknik do të grumbullojë për këtë miqësore lojtarë të vitlindjes 2005-2006. Grumbullimi do të nisë me datën 6 gusht me grupin që do të udhëtojë menjëherë drejt Italisë, ku do të stërvitet për tre ditë me radhë po në Koverçano.
Me ekipin do të jenë të pranishëm edhe zyrtarë të Drejtorisë Teknike dhe Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, ndërkohë që ky test është një tjetër mundësi për të kolauduar akoma më mirë skuadrën në prag të impenjimeve në kualifikueset e Europianit, ku synohet kalimin për në fazën finale.
Sakaq, Kombëtarja U-19 zhvilloi dy miqësore më Kosovën U-19 në muajin qershor në Kukës, me kuqezinjtë që bënë një paraqitje shumë të mirë duke regjistruar një fitore dhe një barazim. Duhet theksuar se skuadra është në proces rinovimi për shkak të ndërrimit të brezave dhe ndonëse grupi përbëhet nga shumë të rinj, performanca në fushë ka qenë tejet pozitive.
Kombëtarja U-19 do të ketë edhe katër miqësore të tjera në muaj shtator e tetor, me rivalët që mbeten për t’u përcaktuar, ndërkohë që në muajin nëntor kuqezinjtë do të jenë të impenjuar në kualifikueset Europianit 2023-2024 për këtë grup-moshë.
Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar Kombëtaren shqiptare U-19 në Grupin 13, së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023.