Shqipëria U-17 / Flasin futbollistët e rinj: Kombëtarja, dëshirë e bërë realitet

Kombëtarja shqiptare e 17-vjeçarëve, pas ndeshjes që zhvilloi ditën e mërkurë kundër bashkëmoshatarëve të Kosovës, ka zhvilluar këtë të enjte një tjetër stërvitje në prag të sfidës që do të luajë ndaj ekipit Kombëtar U-18. Vëllazërorja, që u zhvillua në Kosovë, përfundoi me rezultatin 0-2 në favor të kuqezinjve, ndërsa tekniku Ervin Bulku pati mundësinë të provonte lojtarët e rinj të grumbulluar. Fshf.org ka zhvilluar dy intervista me dy nga futbollistët e Kombëtares U-17, Davide Ziu dhe Orgito Ruçi, të cilët folën për grumbullimin me ekipin Kombëtar dhe grupin kuqezi.

Ziu, që luan në Itali me ekipin e Viçenzas duket i lumtur që më në fund është pjesë e Kombëtares shqiptare, teksa shprehet se dëshira e tij ka qenë gjithmonë të ishte pjesë e Shqipërisë. “Unë dhe familja ime ndihemi shumë të kënaqur nga ftesa e Kombëtares dhe jam gati për të luajtur për Shqipërinë. Kisha dëshirë të luaja për Kombëtaren dhe tani e kam mundësinë. Jam ndjerë shumë mirë, grupi është i fortë dhe shpresoj që të arrijmë sa më lart. Çunat më kanë pritur shumë mirë dhe kam bërë shokë të rinj. E ardhmja? Objektivi im është të arrij sa më lart dhe të luaj me fanellën e Shqipërisë”, tha futbollisti kuqezi.

Një tjetër talent premtues shqiptar, Orgito Ruçi që luan për skuadrën e Olimpiakosit në Greqi nuk e fsheh kënaqësinë që është pjesë e Kombëtares, ndërsa shprehet se beson te cilësitë e këtij grupi. “Jam Orgito Ruçi, luaj në Athinë tek Olimpiakos në Greqi, mesfushor qendre. Kur mora ftesën nga Kombëtarja, u ndjeva shumë mirë. Më kanë pritur shumë mirë, besoj se do krijojmë një grup të fortë, duhet të punojmë fort. Besoj se kemi cilësi të mira dhe të tregojmë në fushë çfarë mund të bëjmë. Objektivat e mi? Të punoj shumë fort si Orgito dhe pas kësaj, çfarë mund të arrij do të dalë nga puna që bëj në fushë dhe jashtë fushe”, – u shpreh Ruçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *