Shqipëria do të përballet nesër në mbrëmje me Spanjën, për të përmbushur kështu ciklin e ndeshjeve në grupin B. De La Fuente është paraqitur përpara mikrofonit të “TV Klan”-it për të folur në lidhje me këtë sfidë kaq të rëndësishme për Kombëtaren tonë. Trajneri i Spanjës ka thënë se Shqipëria është një ekip që mund të befasojë cilindo kunërshtar.
“Duke e njohur mirë Shqipërinë, nuk jemi befasuar shumë. E dimë që është një skuadër që është rritur shumë, ka lojtarë shumë të mirë. Ka një trajner shumë të mirë dhe mund të jetë një surprizë e madhe në këtë Kampionat Europian. Mendoj që frika nuk duhet të ekzistojë kurrë në futboll. Shqipëria nuk na ka frikë dhe as ne Shqipërinë. Por kemi respekt maksimal. Shqipëria ka potencial për të befasuar këdo rival. E kam parë gjatë këtyre dy ndeshjeve të para. Duhet të kesh një përqendrim maksimal nga fillimi deri në fund”, ka thënë Luis De La Fuente./Halit Delibashi-Sport Ekspres/