“Shqipëria mund ta mbyll grupin e Europianit me 6 pikë”! Munishi habit: Të mundim Kroacinë dhe e shihni se çfarë i bëjmë Spanjës

Shqipëria nuk arriti dot që të dilte me pikë në mbrëmjen e djeshme, teksa humbi me shifrat 1-2 ndaj Italisë. Në emisionin Koha Shtesë, ishte i ftuar trajneri i njohur Ismet Munishi. Munishi foli për gjithçka në analizën e këtij takimi, teksa nuk mund të anashkalohej dhe momenti i Elseid Hysajt që hoqi kokën duke lejuar topin në rrjetë në momentin kur Barella na dha goditjen përfundimtare. (Më poshtë gjeni intervistën e plot të Ismet Munishit në Koha Shtesë)

“Për fatin e keq dje Italia ka bërë ndeshjen më të mirë të 3 viteve të fundit. Gjithashtu kanë një trajner si Spaleti, që është kulmi i trajnerëve botëror, për mua më i miri në këtë EURO24. Nuk duhet të kritikojmë lojtarët tanë, duhet t’i shtrijmë dorën Spaletit, ai na mundi. Ky është futboll, kundërshtari është më i mirë se ty dhe duhet ta duartrokasësh. Kur Silvinjo të bëj video-analizën, do të kuptoj se Italia ka luajtur shumë mirë, se nuk jemi ne fajtor. Vetëm ne shqiptarët jemi kështu, për tre vite themi Silvinjo është trajneri më i mirë dhe në një ditë të shtune apo të diele, del trajneri më i dobët, duam të gjejmë kokën e turkut me patjetër.

Për mua ne nuk kemi dalë ende nga loja, 4 pikë janë shumë të mundshme. Ndaj Kroacisë për mua është 50 me 50, do të jetë më e lehtë se ndaj Italisë, nuk do dalim si të humbur kundër Kroacisë. Unë mendoj se Shqipëria mund të dalë edhe me 6 pikë nga ky grup, të fitojmë kundër Kroacisë dhe pastaj e shihni se çfarë do t’i bëjmë Spanjës.

Po e kritikojmë shumë Hysajn. Unë shikoj që po kritikohen shumë djemtë tanë, është e padrejtë. Ne luajtëm në të njëjtin nivel me Italinë, ishim në lojë deri në fund dhe mund të barazonim rezultatin. Ato janë momente, nuk e gjykoj Hysajn, gjithçka ndodh shumë shpejt. Të them të drejtën të isha unë në vendin e Hysajt, unë do e kisha kafshuar topin me dhëmbë, jo që kisha ulur kokën. E dinë ata që kanë luajtur me mua, kam luajtur me dorë të thyer, me këmbën e dëmtuar, por ne jemi futbolli i kohës së vjetër. Por nuk e gjykoj Hysajn se cdo gjë ndodhi shpejt dhe ai nuk e dinte nëse topi po shkonte në portë apo po dilte jashtë. Por Hysaj ka bërë shumë për Kombëtaren, mendoj se këta lojtarë po gjykohen pak si tepër””, tha Munishi. /Sport Ekspres/