Pas Medon Berishës, edhe Adrion Pajaziti, i cili shihet si një talent mjaft premtues te Fulhami, ka refuzuar Kosovën për të veshur fanellën kuqezi të Shqipërisë U21. Të dy lojtarët kanë qenë edhe më herë pjesë të ekipeve zinxhirë të Shqipërisë. Mirëpo ky lajm nuk është pritur mirë në Kosovë. Trajneri i dardanëve U21 ka folur për “Gazeta Nacionale”, ku është ankuar për veprimet e Alban Bushit.
“Është e sigurt se Bushi nuk është duke bërë mirë, pasi po i fton lojtarët e Kosovës në këtë mënyrë. Besoj se mjaftueshëm ka marrë Shqipëria lojtarë nga Kosova dhe do të ishte mirë të orientohen nga futbollistët me prejardhje nga Shqipëria.
Pajaziti? Në fakt, nuk kam ndonjë koment, sepse nuk më ka rënë të bashkëpunoj me të dhe nuk e di pse e ka bërë këtë zgjedhje. Mua më mbetet t’i dëshiroj suksese. Askënd nuk do ta lusim. Dera do të jetë e hapur për të gjithë që duan dhe meritojnë të luajnë për vendin e shenjtë, Kosovën”, deklaroi ai shkurtimisht për Gazetën Nacionale./Halit Delibashi-Sport Ekspres/