“Shqipëria më e sigurt se Italia”, ish-drejtori sportiv i Partizanit: Riktheni futbollin, këtu nuk flitet për pezullim

Futbolli është drejt rikthimit sërish dhe qershori do të jetë muaji kur tifozët pritet të shohin skuadrat e zemrës, por këtë herë nga shtëpia dhe jo nga stadiumi. Shqipëria ka vendosur datën 3 të muajit të ardhshëm për të rifilluar përsëri, ndërsa Serie A ka caktuar 13 qershorin si datën e nisjes. Në lidhje me temën e rikthimit të klubeve në fushë ka folur edhe ish-drejtori sportiv i Partizanit, Dritan Dervishi, i cili tashmë është pjesë e stafit të ekipit të Veronës.

Në një intervistë për “Syri TV” Dervishi shprehet se në Shqipëri situata është më favorshme për të luajtur sërish futboll. Italia nga ana tjetër është më e prekur nga pandemia, megjithatë kurrsesi nuk mendohet të pezullohet përfundimisht kampionati. Interesa më të larta janë në lojë sipas ish-drejtorit sportiv të Partizanit dhe prandaj sezoni duhet shkojë deri në fund, ndërsa tregon se skuadrat kanë të nevojshme 3 javë për t’u stërvitur para se të zhvillojnë ndeshjen e parë.

Shqipëria në situatë më të lehtë se Italia

“Është e vështirë në Itali të flitet për normalitet të futbollit. Shqipëria nuk ka shumë raste të prekura krahasuar me Italinë, këtu situata është shumë e rëndë. Në fazën e parë ne ishim të izoluar plotësisht. Kishim si qëllim të izolonim lojtarët dhe të stërviteshin në shtëpi kurse rasti në Shqipëri është më ndryshe pasi nuk ishit shumë të goditur nga koronavirusi”

Rikthimi i futbollistëve, problematika

“Futbolli duhet të rifillojë pasi është sport popullor. Por gjithçka duhet të rifillojë me një siguri totale, pasi kush do të mbajë përgjegjësi nëse lojtarët infektohen”.

Problematika në Itali 

“Na qëlluan disa lojtarë pozitiv me koroanvirus dhe u izoluam të gjithë. Ne si klub i dërguam të gjithë futbollistët në shtëpi dha ata vijuan stërvitjen. Në Itali nuk flitet të ndërpritet futbolli pasi janë shumë interesa të mëdha dhe askujt nuk i shërben anulimi i futbollit. Verona nuk ka ulur pagat ka paguar të gjithë lojtarët nuk kemi probleme financiare”.

Stërvitja në shtëpi 

“Dëgjova një doktor që tha 20 minuta të zhvillohet një pjesë. Kjo është e pamundur pasi rregullorja është e qartë pasi duhet të luhen 45 minuta. Lojtarët kanë nevojë për stërvitje pasi do të rikthehen me rrezikun e madh për të pasur probleme fizike. Data 3 qershor është pak shpejt do të isha dakord që futbolli të niste në datën 10 qershor. Është shumë e vështirë dhe e komplikuar si kohë për të bërë stërvitje. Shumë e vështirë do të jetë dhe duhet mbi 3 javë stërvitje që lojtarët të rikthehen në formë të mirë fizike”, ka deklaruar Dritan Dervishi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *