Teksa jemi në ditën e pushimeve sa i përket Kombëtareve dhe klubet vazhdojnë të kenë kryefjalën, Shqipëria është duke punuar për kundërshtarët e radhës sa i përket miqësoreve. Deri tani është zyrtarizuar përballja me Slloveninë, e cila do të luhet në datën 30 mars në Udine.
Por kuqezinjtë do të kenë edhe një tjetër datë të lirë në atë periudhë, ndërsa po kërkojnë që të gjejnë edhe kundërshtarin e radhës. “RTSH Sport” shkruan se dëshira më e madhe është që të kemi një përballje me Malin e Zi, por në tryezë qendron edhe Letonia me Moldavinë si një opsion i mundshëm.
Gjatë kësaj periudhe do të shohim për herë të parë Armando Brojën me fanellën e Shqipërisë A. Deri tani sulmuesi i Chelseat ka luajtur me të rinjtë dhe Shpresat, por do të ketë shansin që t’i bashkohet ekipit të parë. Gjithashtu edhe Florian Kamberi do t’i bashkohet këtij sulmi që tashmë mund ta quajmë të frikshëm, me sulmuesin në fjalë që u zyrtarizua pak ditë më parë te Rangersi. /Sport Ekspres/