Sylvinho ishte i pranishëm në mbrëmjen gala të organizuar nga FSHF për më të mirët e futbollit shqiptar në vitin 2022. Në një prononcim për “Supersport”, Sylvinho komentoi këtë event dhe tregoi pak mbi Kombëtaren. Braziliani u shpreh se duhej që të jetonte në Tiranë pasi puna në misionin e kualifikimit të Shqipërisë në Europian fillon nga këtu.
“Për mua ishte kënaqësi të isha këtu, pasi pashë dhe takova gjithë këta njerëz. Jam i pasionuar pas futbollit në të gjitha nivelet dhe pashë këta njerëz futbollistë, trajnerë, arbitra njerëz që jetojnë me futbollin, të mbledhur këtu, të gjithë bashkë, dhe sipas meje kjo është diçka shumë e bukur.
Shiko, ne kemi lojtare të fortë, shumë prej tyre luajnë jashtë, në Itali, Spanjë, Gjermani, Turqi…, ne kemi nisur t’i shohim të gjithë nga afër. Punojmë dhe në federatë, kam bërë zgjedhjen për të jetuar në Tiranë, pasi mendoj se puna nis që këtu, madje edhe me ndeshjet e kampionatit shqiptar. Kam parë disa, por duhet të shoh më tepër. Puna ka nisur dhe unë kam shumë besim se me të vërtetë mund të bëjmë diçka shumë të mirë.
Besimi është i njëjtë, pasi, kur e mora këtë detyrë, mendova që me të vërtetë kemi shanse për të shkuar para. Duhet të punojmë shumë, kjo është e qartë, grupi i eliminatoreve është shumë i ekuilibruar, por ne kemi lojtarët, kemi besimin dhe do të punojmë në drejtimin e duhur, pasi në futboll gjërat bëhen kur jemi bashkë. Unë kam besim te çdo lojtar që kemi për të shkuar përpara”, tha Sylvinho. /Sport Ekspres/