Shqipëria e Grimës “mbytet” në Skoci, vjen humbja e tretë

Nuk është se pritej ndonjë mrekulli, por gjithsesi shpresohej te një humbje pa goleadë. Edhe ky mision nuk u realizua, sepse Shqipëria në futboll për femra u mund 5-0 në Skoci, në një sfidë pa histori që pa nisur dhe ku vajzat kuqezi u “mbytën” nga kundërshtaret dhe nga rrebeshi në Paislej. Skocia është e 22-ta në renditjen botërore dhe qartësisht llogarit vetëm Zvicrën si rivale në grupin 2, ku bën pjesë edhe Shqipëria, e fundit tashmë, me 3 humbje në po aq ndeshje dhe një golaverazh 1-10. Në “Saint Mirren Park” rezistuam 21 minuta (portierja Zani dhe Begolli u përplasën, duke shënuar një autogol në mënyrë amatoreske), por ishte thjesht çështje kohe, pasi statistikat nuk gënjejnë: 20-2 goditjet drejt portës për skocezet, 7-1 gjuajtjet në kuadrat, 11-0 goditjet nga këndi. U afruam vetëm në një tregues: goditëm një shtyllë në fundin e ndeshjes me Zylfije Bajramajn, por Skocia kishte goditur dy të tilla më herët. Mbetemi në fund dhe tashmë shpresa e vetme mbetet Bjellorusia vitin e ardhshëm, edhe pse në nëntor presim Poloninë dhe do të tentojmë edhe aty të marrim ndonjë pikë. Gjithsesi, duhet të jemi realistë, sepse kaluar turin e parë kualifikues dhe ajo është fitorja jonë e madhe. Për të tentuar gjëra më të mëdha, duhen investime nga Federata Shqiptare e Futbollit që te fëmijët, por është e pamundur, pasi fondi i dhënë nga UEFA nuk është shumë i madh për të bërë revolucion në futboll, aq më shumë që futbollit të femrave pakkush ia vërshëllen në Shqipëri, ku nuk kemi fusha stërvitore sa për ekipet e meshkujve, ku qarkullon paraja e madhe, jo më për femrat, që luajnë futboll për pasion dhe… kaq.

Kualifikuese Botërori

Turi i dytë/ Grupi 2

Skoci – Shqipëri                5-0

Shënuese: Begolli 21’ aut., Fjona Braun 32’, Ros 54’, Emsli 56’, Evans 82’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *