Ideja që Shqipëria mund të shkaktojë befasi në grupin B të Kampionatit Europian nuk qarkullon vetëm në studiot televizive shqiptare. Në analizën e bërë në “Sky Sports”, Andy Brassell ndan mendimin se kuqezinjtë do të shkaktojnë vështirësi për skuadrat e tjera. Analisti anglez është shprehur se Shqipëria do të jetë ekipi më në formë në grupin B.
“Mendoj që është shumë interesante ajo që Shqipëria mund të bëjë. Mendoj se do të jetë skuadra më në formë në këtë grup. Silvinjo, ish-mbrojtësi i majtë i Arsenalit dhe Manchester City-t, është fanatik pas fitnesit. U kualifikuan në mënyrë brilante për herë të dytë në Kampionatin Europian. Ajo që Shqipëria mund të bëjë në këtë grup është që t’i prishë punë dikujt tjetër. Ndoshta do të jetë e vështirë për ta për t’u kualifikuar edhe në vendin e tretë, megjithëse kanë përvojë në Europian dhe kanë një mbrojtje të mirë”, ka thënë Andy Brassell./Halit Delibashi-Sport Ekspres/