Kombëtarja U-21 e futbollit është duke kaluar një ecuri tejet pozitive, duke ndezur shpresat se ky brez do të sjellë sukses për tifozët kuqezi. Mbrëmjen e djeshme ndaj Kosovës u arrit fitorja e 3-të radhazi për ekipin Shpresa, të cilët janë vetëm 1 pikë larg vendit të dytë, që të jep një mundësi për të mbërritur në Euro2021.
Në konferencën për shtyp për mediat, trajneri Mustedanagiç, i cili zëvendëson Alban Bushin e prekur nga covid-19, ka thurur elozhe për këtë brez të ri të futbollistëve. Sipas tij, Shqipëria do të kthehet një pjesë e rëndësishme e futbollit në Europë, ndërsa në të ardhmen do të ketë shumë pak ditë të këqija për kombëtaren tonë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
– Mister, një koment tuajin për fitoren me Kosovën? Si do ta vlerësonit paraqitjen e skuadrës?
– Ekipi Kombëtar i U-21 ka luajtur një ndeshje perfekte sidomos me pjesën e parë kur kemi shënuar. Kemi pasur disa mundësi, Çokaj shënoi me një kros të bukur dhe realizoi me kokë. Unë mendoj që kemi të bëjmë me një brez që do japin rezultat shumë shpejt, janë djem të rinj me ambicie dhe të motivuar, ndaj japin gjithçka. Hap pas hapi po arrijmë të kërkojmë rezultatet e duhura. Duke parë objektivisht po marrim rezultate pozitive, është gjithçka e koordinuar me Presidentin Duka dhe zotin Reja, kemi lojtarë në ekipin A që shkojnë nga U-21, më vjen mirë ajo që kam thënë vite më parë tashmë po realizohet. Shqipëria do të jetë një pjesë e rëndësishme e futbollit evropian. Shumë gjëra po ndryshojnë dhe po ecim në pikën e duhur.
– Tre fitore radhazi për ekipin Kombëtar U-21, a i druheni euforisë që mund të përfshijë ekipin?
– Unë mendoj se krahasuar më parë, edhe mendësia e lojtarëve ka ndryshuar, ata çdo ndeshje futen për ta fituar. Ne duhet ti nxisim që çdo ndeshje të fitojmë. Edhe në ciklin e eliminatoreve që fillon vitin e ardhshëm, disa lojtarë luajnë që tani me U-21. Ndryshojnë shumë gjëra që sjellin rezultate pozitive. Janë lojtarë të rinj që kanë ndryshime nga ndeshja në ndeshje po ashtu edhe në mendim. Nuk i druhem këtij brezi, mund të ndodhë që të jetë një ditë e keqe, por do të jenë të pakta.
– Cilët lojtarë ju lanë më shumë mbresa në ndeshjen ndaj Kosovës?
– Duhet të përmend Çokaj, i cili në të ardhmen do të vlejë për Kombëtaren. Më ka befasuar Sota me një lojë shumë të mirë, duhet të përmend të riun Mitaj, i cili është vetëm 17 vjeç. Por mund të them që të gjithë lojtarët kanë luajtur mirë. Janë të gjithë djem të mirë dhe me karakter. Besoj shumë te futbollistët shqiptar, dhe kam besim.
– A mendoni se kjo skuadër mund të marrë rezultat pozitiv ndaj Anglisë?
– Është një pyetje e vështirë. Eksperiencën time si ish-lojtar apo tani si trajner ia kam përcjellë ekipit që askush nuk është i pamposhtur, nëse gjithsecili jep gjithçka, në lojë ndodhin të gjitha. Edhe nëse barazojmë apo fitojmë nuk është befasi. Ka ndryshuar shumë mënyra organizimit dhe e lojës, duhet kohë për tu përshtatur, nuk duhet eufori por vazhdimësi. Futbolli është një proces. Jemi të duruar për një rrugë të mbarë.
– Nëse do t’i hedhim një sy rezultateve të arritura nga Kombëtarja U-21 në këto eliminatore të Europianit, si do ta vlerësoni?
– Rezultati përsa i përket pikëve, punës së bërë dhe lojës, dua të theksoj se jemi në rrugën e duhur. Dua të theksoj se jam krenar për lojtarët, si ata që luajtën ndaj Kosovës, por edhe për brezin, që do të përfaqësohet në eliminatoret e ardhshme. Strategjia jonë është për të zhvilluar lojtarë të rinj për ekipin kombëtar A, shikoj që në eliminatoret e radhës, Shqipëria U-21 do të luajë për kualifikim. Edhe njëherë dua ta përsëris që cikli i ri do jetë e ardhmja e kombëtares.