“Shqipëri-Kosovë në finale Europiani, 0-0 dhe këndohet himni kombëtar”! Rashica sqaron pse nuk shkoi në ndeshjen e polemikave te Kosova: Më thanë që nuk doja të luaja

Milot Rashica ishte i ftuar në studion e emisionit “Oxygen”, ku ka zhvilluar një intervistë me gazetarin Besim Dina. Sulmuesi shqiptar është kthyer pas në kohë për të kujtuar momentin kur zgjodhi të përfaqësonte Kosovën, teksa më parë kishte veshur fanellën kuqezi në dy takime miqësore. Rashica ka treguar se një pjesë e konsideruan si tradhëtar të kombit, por ai e sheh zgjedhjen e tij të natyrshme, duke qenë se ka lindur dhe është rritur në Kosovë.

“Në momentin që Kosova është pranuar në FIFA dhe në UEFA dhe që kemi pasur të drejtë për të luajtur ndeshje zyrtare si krej shtetet e tjera të botës, unë kam qenë një prej të parëve që jam kthyer në Kosovë. Pastaj kanë ardhur edhe disa lojtarë të tjerë. Madje për një kohë kam qenë tradhëtar i kombit, sepse lashë Shqipërinë dhe erdha në Kosovë. Nëse unë nuk do të kisha ardhur në Kosovë, nuk e di kush do kishte pasur mundësinë të vinte. Unë kam lindur dhe jam rritur këtu, e kam kryer shkollën këtu, familjen e kam këtu. Unë nga Kosova kam dalë, deri në moshën 18-vjeçare kam jetuar në Kosovë”, ka thënë Milot Rashica.

Gjithashtu është përmendur edhe ndeshja e polemikave e Kosovës. Dardanët do të përballeshin me Maqedoninë e Veriut pasi fituan grupin e tyre në Ligën e Kombeve. Nëse do të arrinin të fitonin, atëherë do të kishin edhe një finale për të shkuar në Europian. Por në këtë takim munguan yjet e Kosovës, me të cilëve edhe Rashica. Shumë fjalë janë thënë kundër këtyre lojtarëve, aq sa shumëkush u shpreh se këta futbollistë nuk dëshironin të rrezikonin për Kosovën.

“Na thanë që nuk donim të luanim kundër Maqedonisë së Veriut. Një muaj para ndeshjes unë isha dëmtuar kur po luaja me Kosovën. Për dy-tre javë nuk jam stërvitur fare në ekip. Pastaj erdhi ndeshja, ne e dërguam Kosovën deri në atë pikë pasi fituam Ligën e Kombeve, duhej të fitohej ajo ndeshje dhe një tjetër për të shkuar në Europian. Pra ishte ndeshja më e rëndësishme e historisë tonë. Por unë mundesha vetëm që të shkoja me ekipin dhe ta përkrahja nga ty, kaq, nuk mund të luaja dot.

Nuk shkova pasi nuk luaja dot, nëse do të shkoja, do të rrija pa luajtur me Kosovën, do të kthehesha të rrija dhe në karantinë pasi ishte COVID. Pra nuk do t’i bëja punë as Kosovës dhe as ekipit, për këtë arsye nuk mundesha dot të jepja kontributin tim, jo se nuk doja. Disa ditë pas ndeshjes unë u ktheva në stërvitje, por njerëzit mendojnë se një ditë pasi kthehesh në stërvitje, ti je gati për të luajtur në ditën tjetër”, tha Rashica.

Cila është ëndrra më e madhe? “Sigurisht që ëndrra më e madhe një finale Europiani Shqipëri-Kosovë, rezultati 0-0 dhe të këndohej himni kombëtar nga të dyja ekipet”, përfundoi Rashica. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *