Kukësi po vijon me intensitet përgatitjet për ndeshjen e 11 korrikut me Valetën. Skuadra verilindore zhvilloi ditën e djeshme dhe testin e fundit miqësor para se të zbresë në fushë ndaj maltezëve. Tekniku Peter Pakult kishte mundësinë që të shihte të besuarit e tij në një ndeshje kontrolli, për të vendosur për formacionin.
Gjithsesi ranë në sy mungesat që kishte Kukësi ndaj Kastriotit, ku në portë nuk ishte Koliçi, i cili me shumë gjasa është ën fund të aventurës si “kuksian” pasi nuk është në listën për Europën, por dhe Hoxha, Musolli dhe Kalaja po ashtu nuk kishin asnjë minutë.”Sport Ekspres” mëson se të tre janë të dëmtuar, madje shkodrani nuk është në listën e Kukësit për dy ndeshjet e turit të parë të Champions League.
Besar Musolli në anën tjetër ka një kontraktim të lehtë dhe me shumë gjasa do të jetë gati për takimin e parë, ndërsa shqetësimi më i madh është për mbrojtësin Rustem Hoxha. Mbrojtësi durrsak ka pësuar një tërheqje dhe me shumë gjasa nuk do të jetë në dispozicion të teknikut austriak Peter Pakult së paku për ndeshjen e parë që do të zhvillohet në Shkodër.
Ndonëse stafi mjekësor po punon së bashku me lojtarin, duket mjaft e vështirë që Hoxha të ja dalë për të qenë në fushë në takimin e kësaj të mërkure. 27-vjeçari ka qenë mbrojtësi me më shumë minuta te Kukësi dhe mungesa e tij mund të jetë probleme. Gjithsesi në qendër verilindorët kanë Albi Allën, Harallamb Qaqin dhe kapitenin Ylli Shameti, kështu që Pakult që i ka alternativat mjaftueshme në dispozicion.