Ka realizuar ëndrrën e tij në një mënyrë të papritur. Thomas Strakosha ende nuk e beson, sa herë që mban mend atë Milan-Lacio në “San Siro”. Tani, portieri titullar i skuadrës bardhekaltër, nuk ka ndër mend të humbasë vendin.
Ka ardhur Proto, sigurisht, por për të qenë i dytë. Në miqësoren ndaj Triestinës ka luajtur Proto dhe Guerrieri, sepse sipas asaj që shprehet për radion zyrtare, shqiptari nuk ndihet ende mirë:
“Nuk ndihem ende mirë, do të duhet kohë për të kaluar problemet me shpinën. Më mungon të stërvitem me shokët, shoh se po përgatiten ashtu si duhet. Zhgënjimi Inter? Na erdhi keq, por besoj do të përsërisim sezonin e shkuar, jemi grup i ri dhe kompakt. Nuk kemi frikë”.
“Duhet të korrigjojmë gabimet e të shkuarës. Në sezonin e shkuar kemi pasur shumë “black out”, duhet të rezistojmë në momentet e vështira. Proto? Di të flasë italisht, ka përvojë, trajneri nuk duhet t’i thotë asgjë. Do të na ndihmojë ne të vegjlit të rritemi”.
De Vrij? “Do të jetë Açerbi dhe jo vetëm. Ndihem mirë me të gjithë”.
Ndeshja më e mirë? “Ndaj Atalantës. Kur mbërrita këtu ëndërroja që të mbroja portën e Lacios, shpresoj të jap kontributin”.
Më pas, shpjegon atë gabim që mund t’i kushtonte golin e Higuainit ndaj Juves: “Nuk mendoj shumë gjatë ndeshjes, nëse ai top do të hynte, do ta kisha pisk (qesh). Të gjithë gabojmë, rëndësi ka të reagojmë”.