Gasperini është i vlerësuar së tepërmi në Itali pasi e kthye Atalantën nga një ekip normal që luftonte për mbijetesën në Seria A, në një realitet të ri ku te ekipi nga Bergamo ka zhgënjim sepse nuk janë kualifikuar në çerekfinalet e “Champions League”.
Kaq mjafton për të kuptuar ndryshimin e madh të Atalantës, ku pavarësisht buxhetit të vogël, po korren rezultate fantastike. Edhe në Shqipëri e kanë parë dukshëm ndryshimin rrënjësor që Gasperini i bën futbollistëve me Berat Gjimshitin.
Lojtari kuqezi është kthyer në një mbrojtës modern duke u përmirësuar së tepërmi në kontrollin e topit dhe organizimin e lojës sulmuese, për të mos u mjaftuar me detyrat e prapavijës. Pak para ndeshjes së Atalantës me Veronën, trajneri kundërshtar, Juric, ka vlerësuar së tepërmi kolegun e tij.
“Kur e kam takuar unë Gasperinin, nuk ishte i njohur. Më ka hapur sytë dhe pashë një futboll komplet tjetër. Ai ndryshon gjithmonë, shpik gjëra të reja, por mban të njëjtin koncept. Për mendimin tim, më mirë t’i jepni një ekip të madh dhe ka për t’i “mbytur” të gjithë. Është trajneri më i mirë në Itali, i pari, do të doja që ta shihja në një ekip të madh”, tha Juric. /Sport Ekspres/