“Shpërthen” trajneri i Riverit, Gajardo: Finalja në Madrid? Turp dhe vjedhje!

River Plejt dhe Boka Zhuniors do të ndeshen me datë 9 dhjetor në “Santiago Bernabeu” të Madridit për finalen e kthimit të Kupës Libertadores. Trazirat e ndodhura përpara fillimit të ndeshjes në stadiumin “Monumental”, me tifozët e Riverit që sulmuan me çfarë mundën autobusin e ekipit të Bokës, detyruan “CONMEBOL” ta transferojë duelin e zjarrtë jashtë Argjentinës.

Pas shumë diskutimesh dhe po kaq pakënaqësish, u vendos të luhej në stadiumin e Realit, një prej më të sigurtëve në botë. Ekipet do të jenë nesër në Madrid dhe të enjten do të zhvillojnë seancat e para stërvitore në stadium. Riveri do të qëndrojë në Valdebebas, qendrën stërvitore të Realit, ndërsa Boka në Las Rozas, qendra federale teknike, që ndodhet 20 km larg qytetit.

Spostimi i finales nuk është pritur mirë nga Marçelo Gajardo, trajneri i Riverit. “Kupa Libertadores e Amerikës Latine rreth 10 mijë km larg nga këtu? Një ditë do të kthejmë kokën pas dhe do të gjithë do e cilësojmë këtë që po ndodh si: turp absolut. Ata kanë grabitur tifozët”, komenton i irrituar Gajardo.

Stadiumi “Santiago Bernabeu” ka një kapacitet prej 81 mijë vendesh, ndërsa është vendosur që ultrasit respektivë të kenë nga 5 mijë bileta. Tifozët e Riverit vijnë në këtë takim si pritës, por nga Argjentina mund të udhëtojnë vetëm 5 mijë vetë. Diçka e padrejtë, duke llogaritur dhe udhëtimin e gjatë dhe shpenzimet e tepërta.

25 mijë bileta do të shiten për komunitetin argjentinas në Spanjë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet për sponsorët e ndryshëm. Pavarësisht kësaj, në të dy kampet janë gati për të shijuar finalen e derbit më pasionant në botë. Me qëllimin e vetëm për të dërguar kupën në shtëpi dhe për t’u bërë pjesë e historisë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *