Shpërthen Spaleti: Humbje pamerituar, përse duhet të na e imponojnë?

 

Interi ka vuajtur, ka pësuar gol, ka mbetur me dhjetë lojtarë që në minutën e 18-të, ka gjetur forcën për të përmbysur Juventusin, me zemër mbi të gjitha, por në fund është dorëzuar. Trajneri Spaleti e ka të vështirë ta kapërdijë poshtë këtë humbje, që e ka cilësuar të pamerituar.

Gjyqtari – “Të them të drejtën e kam shumë të vështirë të jap një gjykim të saktë. Sepse nga këndvështrimi im nuk jam në gjendje për të bërë vlerësimet e duhura. Parë kështu mund të them se nuk ka pasur një metër për të dy ekipet. Por në fund vlen çfarë ka parë ai.”

Gabimet – “U mundëm sepse kemi luajtur për afro 80 minuta me një lojtar më pak. Kemi shpenzuar shumë energji dhe mos harroni se goli i dytë i tyre ishte me fat. Parë çfarë ndodhi gjatë ndeshjes, Interi meritonte më shumë se një humbje.”

Zëvendësimi i Ikardit – “Ishin disa lojtarë të lodhur. Më duhej të bëja diçka për të sistemuar më mirë mbrojtjen. E dija se Juventusi do të kërkonte krosimet dhe më duheshin forca të freskëta. Me Santon në fushë mendoja se mund ta shtyja ekipin përpara.”

Një fjalë për ekipin pas ksaj humbje – “Jemi të plagosur, por e kam fare të lehtë t’i them dy fjalë ose më shumë ekipit, sepse skuadra ka bërë një ndeshje të madhe. Këtë do t’i them të gjithë djemve. Sigurisht që humbja peshon, për më shumë ishte e pamerituar. Për se duhet të na e impononin?”

Imponimi – Ndoshta Spaleti e ka pasur me Alegrin, që e ka shqetësuar! “Kjo ndeshje vlen shumë për Interin, për këta djem dhe për mua. Interi nuk ka nevojë për një rizgjim pas kësaj ndeshje. Kjo nuk është si humbjet e mëparshme. Pastaj ka mjaft gjëra të vogla që nuk mund të kuptohen. Nuk duhej të kishte përfunduar kështu…”

Komunikimi me Ikardin – “I thashë të njëjtën gjë, që kjo ndeshje nuk duhej të mbyllej kështu. Mbetesh vërtet keq, sepse lojtarët nuk janë prej akulli, kanë ndjenja për punën e tyre.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *