Lojtari i Tiranës u ndëshkua nga një gjykatë me 12 muaj punë në komunitet, gjobë 4 mijë sterlina dhe kufizim të lirisë nga ora 18:00 e mbrëmjes, deri në 05:00 të mëngjesit
Olsi Avdiaj
Lojtari i Tiranës, Majkëll Ngo është dënuar nga një gjykatës anglez për shitje droge. Lajmi konfirmohet nga media britanike “EssexLive”. Futbollisti bardheblu është ndëshkuar nga drejtësia britanike, pasi në “Chelmsford V Music Festival”, që zhvillohet në Angli ka shitur një gaz të ndaluar nga ligji, Oksid Nitrik, i cili konsiderohet drogë në Mbretërinë e Bashkuar. Futbollisti i bardhebluve është dënuar me gjobë dhe dënim me kusht dhe punë në komunitet, por është falur, duke i shpëtuar burgut, pasi “Chelmsford Crown Court” e ka konsideruar faktin që ka ndodhur një “gabim shumë të rëndë”, ndonëse jo aq sa për ta shpurë pas hekurave lojtarin e Tiranës.
Historia – 25-vjeçari Majkëll Ngo ka marrë pjesë në festivalin e Chelmsfordit të zhvilluar më 19 gusht 2016 dhe në atë eveniment ka shitur Oksid Nitrik (N2O). Ky është një gas delirant që çon njeriun në një gjendje ekstaze dhe humori, por që në çdo vend konsiderohet si drogë, nëse merret jashtë kushteve spitalore. Veprimi (shitja e gazit nga Ngoja) është pikasur nga një roje e sigurisë në Hylands Park, i cili më pas kontrolloi tendën ku po mbusheshin tullumbace me gazin e famshëm delirues. Sipas “EssexLive”, Ngoja veprimin e ka kryer së bashku me Denzel Tompsonin, asokohe 24 vjeç, u duke marrë të pranishmëve në këmbim të gazit para.
Gjyqi – Të enjten më 22 mars, Majkëll Ngo dhe miku i tij janë paraqitur para gjykatës, ndërkohë që prokurorja e çështjes Lusi Suitland i sqaroi trupit gjykues rrethanat e mëposhtme: “Roja e sigurisë, i lajmëruar nga të pranishëm hyri në tendë dhe pa që të dy të pandehurit po kryenin bashkë veprën penale. Ngo po mbushte tullumbacet me anë të një bombule. Të dy kishin nga një çantë ku fusnin paratë. Blerësit u kalonin paratë shitësve, ndërsa Tompson u shpërndante tullumbacet frekuentuesve të festivalit. Roja vërejti nga 8 deri në 15 transaksione vetëm në 10 minuta. Po kështu, të dy kishin rreth 312 bombula gati për t’u shitur, të cilat u morën nga policia. U sekuestruan edhe telefonët e dy të pandehurve, ndërsa u gjetën edhe mesazhet në telefonin e Tompsonit që ftonte njerëz të ndryshëm, të provonin e blinin gazin. Ngosë iu gjetën më shumë se 700 paund kesh dhe mikut të tij 900 paund”.
Mëshira – Në sallën e gjykatësit Jonatan Seili, Karen Dempsi, avokatja e palës së akuzuar kërkoi të falej Majkëll Ngoja e miku i lojtarit të Tiranës: “Në radhë të parë i kërkoj gjykatësit të falë djemtë, pasi ata kanë një të kaluar të pastër. Është eksperienca e tyre e parë me çështjet penale dhe e pranojnë që kanë bërë një gabim shumë të rëndë. Pranojnë gabimin dhe pasojat për atë që kanë bërë, por shpresojnë që ju t’i falni për të vazhduar punën që ata kanë në profesionin e tyre”.
Vendimi – Gjatë vendimit që mori gjykata, e cila ishte 12 muaj punë e detyruar komuniteti për Ngonë, gjykatësi Seili këshilloi djemtë, që të mos përsëritnin më një gabim të tillë. “Mesa kam parë, çështja e dënimit me burg është e duhura për të dy djemtë, por çdo vendim imi do të ishte shumë i shkurtër dhe jo në sinkron me kohën kur ka ndodhur vepra penale. Jam i bindur se një dënim urdhërues është më i vlefshëm se një punë në komunitet, që gjithsesi do të jepet. Kështu edhe djemve nuk do t’u prishim karrierën”, u shpreh gjykatësi britanik. Majkëll Ngo kthehet sot në Tiranë, por dënimi i tij është shembullor. Për 12 muaj nga ora 18:00 deri në 5:00 të mëngjesit, nuk duhet të dalë nga shtëpia dhe duhet të kryejë punë në komunitet. Do të paguajë dy gjoba, njërën 3000 sterlina dhe tjetrën 1000 sterlina. Dhe gjithçka për një gaz të paligjshëm, që ai shiti në një festival, por që fatkeqësisht është drogë. Majkëll këtë herë ia hodhe paq.