Shoqata e arbitrave i kundërpërgjigjet ankesave të Tetovës: Përpjekje për të justifikuar rezultatet sportive, arbitrat kanë gjykuar me paanshmëri

Deklaratat e trajnerit të Egnatias kanë marrë edhe kundërpërgjigjen nga shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit”. Pas humbjes kundër Tiranës, Edlir Tetova u shpreh se është e disata herë që rrogozhinasit penalizohen nga arbitrimi. Ai la të nënkuptohej se kishim të bënim me njëanshmëri në gjykimin e ndeshjes.

Por nuk ka vonuar kundërpërgjigja. Përmes një komunikate në llogarinë zyrtare në “Instagram”, shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit” ka shprehur shqetësimin lidhur me deklaratat e trajnerit Tetova. Në komunikimin zyrtar i kërkohet trajnerit të Egnatias që të mos gjejë alibi të rreme për mungesën e rezultateve, teksa theksohet fakti se arbitrimi ka ushtruar detyrën e vetë me profesionalizëm dhe paanshmëri, në përputhje me rregulloren në fuqi.

“Shogata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptar të Futbollit” shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklaratat e përsëritura publike të trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova, të cilat për disa javë radhazi vënë në shënjestër arbitrimin dhe dëmtojnë imazhin e arbitrave shqiptarë.

Akuzat e vazhdueshme dhe të pabazuara përbëjnë një përpjekje për të justifikuar rezultatet sportive, duke transferuar përgjegjësinë jashtë fushës së lojës. Arbitrimi ushtron detyrën e tij me profesionalizëm dhe paanshmëri, në përputhje me rregulloren në fuqi. Shoqata jonë i bën thirrje klubit të Egnatias të reflektojë mbi mënyrën e komunikimit publik dhe të kontribuojë në ruajtjen e klimës së respektit në futbol. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjitha klubeve që të tregojnë përgjegjësi institucionale dhe të respektojnë rolin e arbitrave si pjesë e pandashme e lojës. Bashkimi Arbitrave të Futbollit Shqiptar do të vijojë të mbrojë dinjitetin dhe integritetin e arbitrave shqiptarë”, ka deklaruar shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit”./Sport Ekspres/