“Shoku, na duhet një Salisu dhe Romeu te Shqipëria”! Ndryshojnë komplimentet e Shën Valentinit: Je magjepsëse sa një gol i Armando Brojës te Kombëtarja

Nga Klaudio Ndreca

Vetëm 1 ditë larg Shën Valentinit jemi dhe një pyetje që lind, ndoshta për jo pak persona, është sesi mund ta bëjnë të dashurën, të fejuarën ose femrën e tyre të zemrës (për të qenë më përgjithësues), që të ndihet si një princeshë. Çfarë e bashkon magjinë, bukurinë, emocionin që e bën zemrën të rrah fort dhe momentin që të mbetet në mendje për shumë gjatë? PO, e gjetëm: “Je e bukur sa një gol i Armando Brojës me Kombëtaren”. Ndoshta për femrat që nuk e ndjekin futbollin nuk do të lërë shije të mirë, por për ato që e ndjekin atë, thjeshtë do të ishte…goditje fatale!

Po aq e bukur sa ai gol i Brojës në “Elbasan Arena” kundër Hungarisë, për të mos kujtuar golin e dytë në transfertë. Në të dy këto raste, çmenduria dhe dërgimi i shqiptarëve në “qiell të shtatë” ishte ndjenja më e bukur që kishin përjetuar prej vitesh. Por çfarë po na bën realisht ky djalosh? Thjesht na ka marrosur!

Dikur, në kohën kur Kombëtarja mbyllte një edicion, të gjithë mërziteshim pasi duhej të prisnim shumë muaj të tjerë për të nisur një cikël të ri. Situata nuk është më e njëjta me Armando Brojën, tani Kombëtarja Shqiptare luan çdo javë, madje falë kalendarit në Angli, dy herë në javë. 9 shkurt, 2022! Një përplasje oraresh kishte mes ndeshjes Toteham-Southampton dhe asaj Milan-Lacio.

Nëse do të ishim në një kohë të para disa viteve, ndeshja e parë do të vendosej vetëm në pikat e basteve dhe shqiptarët do të shihnin të gjithë në radhë Milanin kundër Lacios, si simpatizant të mëdhenj të futbollit italian dhe Milanit. Por në këtë kohë, ndryshojnë sërish gjërat. Teksa ecja në rrugë, dëgjoj shpërthimin e shumë njerëzve në brohorima që vinin nga një lokal. E menjëherë futem për të parë rezultatin e Milan-Lacio, një ndeshje e mbyllur dhe pa histori, 4-0. Në fakt shpërthimi erdhi pasi Southamptoni kishte përmbysur Totenhemin në 2-3. Ahhh po, Armando Broja!

Për të vazhduar në bisedat e nesërme në kafene, ku analizat shkonin përtej sulmuesin shqiptar: “Hej shoku, në fakt ne kemi shumë nevojë për një Salisu dhe Romeu. Sikur t’i kishim këta të dy te Shqipëria, nuk na mundte dot më njëri”. Pra ky 20-vjeçar na ka marrosur aq keq pas vetes sa që për një moment Salisu e do po aq shumë sa Marash Kumbullën pas një ndërhyrje dhe Romeun e do po aq shumë sa Keidi Baren.

Por kjo bisedë dëgjohet edhe në tavolinat e tjera, jo pak persona diskutojnë se çfarë goli dhe driblimesh bëri Armando Broja. Më të informuarit ndajnë me miqtë e tyre edhe deklaratat e trajnerit të Southamptonit. Po, po…të Southamptonit! Deri para se të kalonte në huazim sulmuesi shqiptar, kjo skuadër ishte thuajse e padëgjuar për ne, tanimë është kthyer si Kombëtarja Shqiptare.

Nëse pyet tifozët e Tiranës, Partizanit, Dinamos etj etj për të ndarë mendimin se cili është mbrojtësi i tyre më i mirë, cili është mesfushori më i mirë, nuk dinë të ndajnë ende asgjë. Por nëse i pyet për Southamptonin, në pak sekonda të vijnë përgjigjet: “Salisu dhe Romeu, super nivel”. Ndoshta është shumë, ndoshta është pak, por jemi duke u futur në një epokë të re, atë të Armando Brojës. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *