Vedat Muriqi ishte i ftuar në emisionin “Canape” për të rrëfyer karrierën dhe jetën e tij personale. Tashmë është pjesë e një prej ligave më të forta të botës, por rruga deri në këtu nuk ka qenë e lehtë për të. “Pirati” ka treguar se ka dështuar disa herë në hapat e parë të karrierës, por asnjë herë nuk është dorëzuar. Pikërisht për shkak të këmbënguljes dhe besimit në vetvete ia ka dalë të mbërrijë në këtë nivel të futbollit.
“E kam dashur shumë sportin, por në atë kohë kur kam qenë unë fëmijë ka qenë shumë e vështirë për të mbijetuar prej sportit. Kur i thoja shokëve të mi që do të bëhem futbollist, ata qeshnin me mua. Ka pasur raste që kam shkuar nëpër prova, në Cyrih, në Turqi disa herë, në Suedi, por kam dështuar. Por nuk jam dorëzuar kurrë dhe e kam ditur që mund ta bëj. Normalisht, kam pasur edhe pak fat. Këtu jam falë punës dhe fatit që kam pasur”, ka treguar Vedat Muriqi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/