Miqësoret nuk janë një tregues real i forcës së ekipeve para provës të së vërtetës. Këtë e ka dëshmuar më së miri Skënderbeu i kohës së artë që në përballjet përgatitore kanë humbur në pjesën më të madhe të rasteve, ndërsa transformoheshin atëherë kur thirreshin realisht në detyrë.
E njëjta gjë mund të thuhet se ndodhi edhe me Shkupin që i humbi të gjitha miqësoret e saj, nga Ballkani i Ilir Dajës te Tirana e Orges Shehit, duke barazuar vetëm me Fenerbacen 2-2. Ndërkohë me sukses do të kalohej turi i parë nga kampionët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut që eliminuan Licoln Red Imps.
Me shumë sukses është mbyllur edhe ndeshja e parë e turit të dytë teksa është barazuar ndaj Dinamos së Zagrebit në Maksimir, 2-2, kjo nuk është pak. Kroatët kanë kujtime të hidhura kur bëhet fjalë për rezultate të kësaj natyre.
“Sportklub.hr” ka kujtuar edhe vitin 2017 atëherë kur Skënderbeu do të eliminonte Dinamon e Zagrebit. Pas barazimit 1-1 në transfertë, korçarët do të gjenin barazimin më të ëmbël që kanë arritur në histori me 0-0 që i dha të drejtën për të hyrë në fazën e grupeve të Europa League.
“Nuk është hera e parë që Dinamo e Zagrebit ka zhgënjyer ndaj ekipeve të vogla në këto vitet e fundit. Linfield në 2008, Serif në 2010, Fola Esch në 2013 dhe Skënderbeu në 2017 kanë marrë barazimin në Maksimir. Në dy nga këto katër rastet, Dinamo e Zagrebit është eliminuar nga këto ekipe, po flasim për skuadrën moldave dhe atë shqiptare”, shkruhet në median kroate që paralajmëron skuadrën se realisht mund të mbetet jashtë këtij turneu nga Shkupi. /Sport Ekspres/