Vllaznia ka kthyer entuziasmin e tifozëve, të cilët nuk e kanë lejuar pandeminë t’i mohojë festën për ekipin e tyre të zemrës. Pavarësisht se nuk mund të jenë në shkallët e stadiumit, kuqeblutë e kanë spostuar atmosferën në ambientet përrreth tij, në rrugët apo në sheshet e Shkodrës. E nuk mund të mungojnë as në një sfidë aq të rëndësishme si ajo e nesërmja, ku Partizani pret Vllazninë në “Elbasan Arena“.
Gazetari Bepin Kolvataj tregon në emisionin “Sport Magazine“ të moderuar nga Altin Sulçe se tifozët shkodranë kanë nisur që sot të udhëtojnë drejt Elbasanit për të mbështetur skuadrën e tyre, ndërsa pjesa më e madhe do të zbarkojnë në qytet mengjesin e nesërm për të “pushtuar“ Elbasanin.
“Një pjesë e tifozëve kanë nisur që tani të prenotojnë një vend në atë numër të kufizuar që ka klubi i Vllaznisë për të futur tifozë në “Elbasan Arena”. Një pjesë tjetër janë organizuar të shkojnë ta ndjekin skuadrën në lokalet e Elbasanit. Një pjesë e vogël do të shkojnë sot, ndërsa pjesa tjetër e kanë lënë për mëngjesin e ditës së nesërme për tu nisur drejt Elbasanit, ku më pas do të jenë gjatë ditës deri në orën 16:45 kur pritet të nisë sfida.
Për ta ndjekur 90 minutëshin në lokalet e Elbasanit dhe ato shpresojnë e besojnë se Vllaznia do të dalë fituese dhe për ta shoqëruar përgjatë gjithë rrugës për në Shkodër me atmosferën festive, siç edhe kanë bërë në ndeshjet e tjera. Për ta spostuar më pas festën në qytet, në rrugët e Shkodrës, në sheshin përreth stadiumit “Loro Boriçi”. Ata besojnë që edhe ditën e nesërme skuadra e drejtuar nga Brdariç do të triumfojë ndaj Partizanit”, ka thënë Bepin Kolvataj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/