Shkëmbi: Djemtë janë në formë, shpresoj të kemi pak fat

Teuta luan në transfertë kundër Luftëtarit. Kjo ndeshje zhvillohet prej orës 15:45 në Gjirokastër, ndërkohë që trajneri i durrsakëve, Bledi Shkëmbi, ka folur në “RTSH Sport”. Ai ka analizuar humbjen me Kukësin dhe më pas ka analizuar kundërshtarin e radhës.

HUMBJA ME KUKËSIN – “Nuk e nisëm mirë kundër Kukësit, ndikon. U munduam të hynim në lojë pas minutës së 25-të, të 30-të. Gjithashtu edhe në pjesën e dytë. Patëm dëshirë për të kthyer rezultatin, mundësitë i kishim dhe nuk shënuam. Ndoshta ekipi nga fillimi deri në fund nuk luajti ashtu sikur ne duam të luajmë. Dëshira e madhe e lojtarëve ishte për t’u përgëzuar. Nuk meritonim të humbnim, por ky është futbolli”.

LUFTËTARI – “E kanë nisur keq, po kalojnë një moment të vështirë dhe kjo është e vërtetë. Por mendimi im është se ne duhet të paraqitemi si duhet. Patjetër që shkojmë për të fituar, për të luajtur atë futbollin që jemi munduar gjatë ndeshjeve. Shpresoj të kemi edhe pak fat në rastet që do të na paraqiten”.

FORMACIONI – “Nuk kanë rëndësi emrat, të gjithë lojtarë janë gati. Nesër vendos se kush luan. Me rëndësi është që të gjithë janë në formë të mirë dhe kanë dëshirë për të fituar”.

NDIKIMI I MEZANIT – “Nuk mund të jap një gjykim siç duhet. Nuk e di si do ndikojë te Luftëtari, por di që ata pavarësisht humbjeve kanë bërë lojëra të mira. Nuk e vë në dyshim që kundër tyre do të jetë shumë e vështirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *