Ermal Krasniqi është një nga zbulimet më të mëdha të viteve të fundit në Kosovë. Futbollisti 24-vjeçar shkëlqeu me Ballkanin e Ilir Dajës sezonin e shkuar, ndërsa që nga janari po tregon nivel të lartë edhe në Rumani. Krasniqi numëron 5 gola në kampionat me CFR Kluzhin, me të cilët realizoi paraqitje mjaft pozitive edhe në Europë.
Sulmuesi shqiptar ka ngjallur interes në ligat më të forta europiane dhe një transferim i tij në verë nuk do të ishte aspak një befasi. Presidenti i klubit rumin ka deklaruar së fundmi se tre klube kanë paraqitur ofertë zyrtare për Ermal Krasniqin.
“Ka tre oferta për Ermal Krasniqin. Janë oferta të pastra. Por jo vetëm për atë, janë edhe 7 lojtarë të tjerë që kanë oferta dhe do të shohim në verë se çfarë do të vendosim“, ka thënë Nelutu Varga.
Ndërkohë, “Prosport.ro“ zbulon edhe emrat e klubeve që kanë kërkuar transferimin e lojtarit nga Kosova. Bëhet fjalë për Torinon dhe Fiorentinën në Serinë A dhe për Majorkën në La Liga. CFR Kluzh kërkon 5 milionë euro për të hequr dorë nga kartoni i Krasniqit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/