Llapi do të luajë mbrëmjen e së enjtes ndeshjen e kthimit kundër Buduçnostit. Skuadra nga Kosova e humbi ndeshjen e parë 2-0, ndërsa për duelin e ardhshëm ka ftuar të gjithë tifozët shqiptarë të mbushin stadiumin përballë malazezëve. Thirrjes i janë përgjigjur pozitivisht 9 grupime ultrasish, që kanë lënë mënjanë inatet e kampionatit dhe do të bëhen bashkë për të mbështetur Llapin.
Ndërkohë pjesëmarrjen e tyre në stadium e kanë konfirmuar edhe ultrasit e Buduçnostit. Tifogrupi “Varvari” ka ftuar anëtarët të regjistrohen për të marrë pjesë në transfertën e ekipit nga Podgorica. Nuk ka munguar as provokimi, teksa kanë shpërndarë hartën e Serbisë ku përfshijnë edhe Kosovën si pjesë të territorit të saj.
“Kualifikimi në Ligën e Konferencës! 14.7. Barbarë, mund të regjistroheni sot nga ora 16:00 deri në 22:00, në dyqan. Është e nevojshme me vete një kopje të kartës së identitetit. Ne mbulojmë kilometrat, ne shkelmojmë të gjitha pengesat“, shkruan grupimi “Varvari“ në faqen e “Facebook“-ut./Halit Delibashi-Sport Ekspres/