Sulmuesi çek firmos kontratën deri në 2022-shin, teksa do të përfitojë 2.5 mln euro në sezon
Patrik Shik është një lojtar i ri i Romës. Sulmuesi çek, i zbarkuar të hënën në Fiumiçino, është prezantuar dje në mëngjes në Trigoria atje ku ka takuar për herë të parë Eusebio di Françeskon. Të qeshura dhe shtrëngim duarsh. Shik, më pas ka mbërritur në Vila Stjuart për vizitat mjekësore dhe më pas ka firmosur kontratën që e ka lidhur me Romën deri në vitin 2022. “Jam një qendërsulmues, por mund të adaptohem të luaj edhe në të djathtë”, ka thënë ai.
SHIFRAT E TRANSFERIMIT – Një rekord Patrik Shiku e ka thyer. Ai bëhet lojtari më i kushtueshëm në historinë e Romës. Përpara tij rekordin e mbante Gabriel Omar Batistuta, që Sensi ia bleu Fiorentinës në vitin 2000 për 70 miliardë lireta (36,2 mln euro të sotme). Përmes komunikatës zyrtare, Roma i ka bërë të ditura të gjitha informacionet e lidhura me blerjen e Shik nga Sampdoria. Ferreros do t’i shkojnë 5 mln euro menjëherë për huazimin, teksa ekziston një detyrim blerjeje për 9 mln euro dhe brenda shkurtit 2020 do të përfundojnë në arkat e Sampdorias edhe 20 mln euro të tjera, me bonuse për 8 mln euro që shkon në total 42 mln euro. Ndërsa, për lojtarin kontrata deri në 2022-shin do të jetë 2.5 mln euro neto në sezon.