Shihni shifrat e transferimeve të lojtarëve në verën e 1996/ Asllani po blihet nga Interi sa kushtoi Ronaldo fenomeni te Barcelona, ja sa ka ndryshuar futbolli

Transferimet e lojtarëve me shifrat marramendëse po kthehen gjithmonë e më tepër në normalitet në futbollin e sotëm. Duke pasur parasysh fuqinë blerëse të klubeve, është e qartë se është krijuar një hendek i madh midis klubeve të pasura dhe pjesës tjetër, kështu që shumë lojtarë paguhen shumë më tepër sesa vlejnë në të vërtetë.

Interesante janë të dhënat e transfertave të vitit 1996, kur futbolli ende nuk ishte biznes. Atëherë, për shembull, Ronaldo fenomeni mund të blihej për 12.8 milionë paund, ose rreth 15 milionë euro. Ndërkohë në futbollin e sotëm, në rastin tonë më konkret, është Interi që shpenzon 14 milionë euro për Asllanin që ka kaluar vetëm gjashtë muaj të nivelit të lartë të Empoli. Sigurisht që ky djalosh vlen shumë, por në këtë rast, shembulli vjen për të kuptuar ndryshimin mes kohëve.

Gjithashtu ato që bien në sy në listën e transferimeve të dikurshme ishin lëvizjet e Clarence Seedorf në Real Madrid dhe Rivaldo në Deportivo La Coruna ose Zinedine Zidane në Juventus. Seedorf dhe Rivaldo janë ndër lojtarët më të mirë në historinë e futbollit dhe nëse do të luanin sot do të kushtonin minimumi 100 milionë euro, ndërsa më parë vlera e tyre shkonte përkatësisht 5.4 dhe 3.2 milionë funte.

Zidane, i cili konsiderohet si lojtari më i mirë në histori, i ka kushtuar Juventusit 3.2 milionë funte, ndërsa sot për disa lojtarë nuk mjaftojnë as 180 milionë, gjë që Reali e ndjeu në lëkurë kur tentoi Kylian Mbappe. Për krahasim, klubet e Premier League shpenzuan së bashku 75 milionë euro atë verë, dhe pak ditë më parë vetëm Liverpooli e pagoi Darvin Nunezin më shumë se kjo shifër. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *