Shifrat janë mbresëlënëse në Turqi, ekipi krijon nga varësi nga Rroca që nuk zgjedh “ashensorin”

Nga Klaudio Ndreca

Në këtë periudhë aktuale futbollistët shqiptarë e kanë shumë më të lehtë që të bëjnë kalimin e tyre në Europë krahasuar me vitet e mëparshme. Të shumtë janë elementet që kanë dalë në skuadra të ndryshme jashtë Shqipërisë pas shkëlqimit të tyre në Superiore, por të pakët janë ata që kanë mbajtur shkëlqimin. E sidomos në kohën e krizës ekonomike tregu ynë ka fituar më tepër vëmendje. Një nga prodhimet më të mira mbetet Eduart Rroca. Futbollisti i cili gjithmonë ka përdorur shkallët në karrierën e tij dhe në asnjë rast nuk ka preferuar “ashensorin”.

Pra pa pasur ngjitje të menjëhershme nga ato që të lënë hije dyshimi dhe të bëjnë të çuditesh për emrin e lojtarit dhe klubin që përfaqëson, por duke bërë lëvizje të ngadalta dhe të sigurta. Nuk mund të komentohet ndryshe edhe largimi nga Shqipëria kur janë mbushur 27 vite dhe transferimi bëhej një mision më i vështirë.

Instabulspori zgjodhi që të besonte te Rroca dhe ky i fundit po ia shpërblen në çdo minutë të vetme. Në 12 ndeshje të zhvilluara në Turqi ka arritur që të shënojë 5 gola, që të jap 5 asiste dhe të fitojë 2 penallti. Pra thuajse në çdo takim kemi protagonizmin e Rrocës në ekipin që synon të ngjitet në elitën e futbollit turk. Çfarë mund të kërkohet më shumë? Vetëm mbajtja e këtij ritmi dhe këtyre statistikave mbresëlënëse! Padyshim që te Instabulspori kanë krijuar varësi nga prania e lojtarit shqiptar në fushën e lojës që po e përgatit veten për nivelet më të larta. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *