Faza përgatitore mund të ndryshohet nga Ohri në Mavrovë apo të lëvizë në ndonjë vend tjetër
Olsi Avdiaj
Rrëmujë tek Tirana! Prishen planet për fazën përgatitore në Ohër, ose të paktën situata është në ajër. Shkak është bërë mospëlqimi i trajnerit Ze Maria, të kushteve ku do të qëndrojë skuadra në Maqedoni dhe fushës së stërvitjes. Dy ditët e fundit trajneri është njohur me vendin ku do të qëndrojë skuadra, si dhe kushtet që mendohet të ketë ekipi në 14 ditë fazë përgatitore, po kështu itinerarin e lëvizjes dhe planin e masave. Por në ndryshim nga çfarë pritej, trajnerit brazilian, nuk ka pëlqyer asgjë. Ai ka “mbetur në klasë” çdo kusht, duke kërkuar një tjetër organizim dhe tjetër vend ku skuadra të qëndrojë dhe stërvitet. Në fakt ambienti bardheblu ka dy ditë që zien dhe në fakt po rrezikohet faza përgatitore në Ohër. Ze Maria ka dhënë ultimatumin e tij. Klubi duhet të gjejë një vend perfekt për të zhvilluar fazën përgatitore.
Klubi i gjendur në këtë situatë ka vendosur që plotësojë menjëherë dëshirën e trajnerit Ze Maria. Ka disa opsione në mendje. Duke menduar që të mos rrëzojë pistën Ohër, po mundohet që të gjendet një zgjidhje sa më e mirë, ndryshe nga ajo e para. Nëse sërish trajneri nuk bindet, atëherë klubi do të shohë opsione të tjera. I pari është në Mavrovë. I dyti në Mal të Zi, por nuk përjashtohet mundësia që skuadra të shkojë në Itali, ose të qëndrojë në Shqipëri.
Plani i parë i Tiranës ishte që skuadra të zhvendosej në Ohër të Maqedonisë për të kryer fazën përgatitore në prag të sezonit të ri. Burime pranë klubit bardheblu konfirmonin për gazetën se skuadra do të nisej ditën e diel ose të hënën drejt Ohrit. Skuadra kryeqytetase do të qëndrojë në fazë përgatitore dy javë, periudhë që do t’i shërbejë trajnerit Ze Maria për të përgatitur ekipin, për të parë gjendjen e lojtarëve, zhvillimin e ndeshjeve miqësore dhe vëzhgimin e ndonjë elementi që mund të afrohet në skuadër gjatë kësaj merkatoje vere. Gjithsesi, Ohri nuk është anuluar, por po mendohen opsione më të mira.
14 ditë pritet të qëndrojë Tirana në fazën përgatitore gjatë gushtit
Të afruarit e tanishëm
Kristi Prendi
Xhuzepe D’Angelo
Të larguarit
Afrim Taku
Olsi Teqja
Ifajeni Ede
Moktar Sise
Romuald
Moise
Në dyshim
David Domgjoni
Mervejl Ndokit
Ruben Akua
Albi Doka
Erion Hoxhallari