Partizani ka arritur të fitojë me rezultatin 0-3 në transfertë ndaj Luftëtarit, duke e mbyllur ndeshjen thuajse që në pjesën e parë. Të kuqtë kanë dalë me tre pikët pa hasur shumë vështirësi, ndërsa në minutën e 3 të takimit ishte Solomon që dërgoi topin në rrjetë. Më pas ishin Broja dhe Kordeiro që mbyllën historinë e ndeshjes. Ndërkohë më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve të takimit për “Supersport”, menjëherë pas mbylljes së ndeshjes:
Sormani (Partizani): “Ne po punojmë dhe sot po shihet rezultati. Duhet të jemi të gjithë bashkë për njëri-tjetrin dhe ky është sekreti për çdo fitore të arritur. Për të krijuar diçka të mirë do kohën e vet dhe nuk bëhet menjëherë. Kemi pasur shumë ndeshje njëra pas tjetrës dhe nuk kishim shumë kohë. Gjithsesi kemi luajtur mirë kundër Kukësit dhe Skënderbeut dhe të gjithë e dinë që meritonim më shumë. Në futbollin modern nuk ka lojtarë me pozicion fiks dhe lëvizshmëria bën diferencën. Duhet të jesh i paparishikueshëm. Sa i përket Solomonit që u dëmtua, duhet ta shohim, por nuk mendoj se ka gjë serioze. Cinari më pëlqyen shumë sesi luan dhe motivon ekipin. Gaz Demi ka dhënë një mesazh ndryshe për ekipin para Luftëtarit, jo për gjoba. Ai ka folur për kompaktsinë brenda grupit”.
Coclli (Luftëtari): “Ne nuk jemi skuadër e madhe dhe të bëjmë histori. Nuk jemi as Reali dhe Barcelona që të përmbysim rezultatin apo që ta barazojmë. Ndeshja ka nisur 0-2 pas dështimit të portierit, që i ka falur dy golat për kundërshtarin. Çfarë mund të prisnim më shumë? Bëra shumë për t’i motivuar lojtarët në pushim, por trauma ishte e madhe. Portieri është çatia e shtëpisë, këtë shprehje e mbaj gjithmonë. Kemi vendosur këtë portier të ri Shalën, pasi më herët kemi bërë gabime qesharake në portë me Tiranën. E prisja Shalën që të gabonte, po jo deri këtu. Merkato na ka penalizuar shumë, pasi prisnim të rinjtë e prespektivës. E dinim që në fillim që nuk do të ishin shumë cilësor afrimet, pasi një i tillë me vlerë, do të barazonte gjithë ekipin.”
Broja (Partizani): “Nuk besoj se është vetëm çështja e derbit me Tiranën që na kaloi në krizë, kanë ndikuar shumë gjëra, mes tyre edhe fati. Kemi pasur ndeshje të vështira, tani besoj se do të kthehemi. Jam shumë i lumtur për golin tim të parë, ka vonuar disi, por erdhi në kohën e duhur”.