Lojë e bukur me gola që fitohet nga vendësit, ndonëse miqtë nga Kuçova bëjnë të pamundurën për të marrë një pikë
Shënkolli – Naftëtari 3-1
Shënues: Kulli 29’, Rub. Danaj 75’, Gega 90’/ Allkanjari 76’
Shënkolli: Rin. Danaj, S. Danaj, Mirdita, Licaj, Baku, Mashi, Pjetrushi (Nekaj 80’), Luzi, Selaci (Gega 56’), Kulli, Rub. Danaj. (Në dispozicion: Hasanaj, Ramaj, Marku, Zefi). Trajner: R. Kulli
Naftëtari: Koçi, Marra, Llojko, Hadaj, K. Pepa, Allkanjari, Marini (Koroveshi 63’), Kajo, Hyseni (Cake 70’), Behari (Jaupi 63’), Mallbati. (Në dispozicion: Spahiu, Haxhiu, A. Pepa, Gorovelli). Trajner: B. Fraholli
Gjyqtarë: Gejsi Velçani, Denis Rexha, Arbër Zolla, Amarildo Gjeçi
Karton i verdhë: Nallbati 37’
Kartonë të kuq: Rub. Danaj 87’/ K. Pepa 92’
Shënkolli fundos Naftëtarin, në një ndeshje për t’u larguar nga fundi i renditjes. 3-1 u mbyll loja, me vendësit që tregojnë forcën e miqtë që mundohen të marrin një pikë. Loja nisi shumë e fortë dhe shumë shpejt është nën kontrollin e Shënkollit. Që në të 3’ ishte Kulli, i cili i vetëm përballë portierit mik nuk ia doli të shënonte pas një topi të dhënë nga Mirdita. Dhjetë minuta më pas janë përsëri shënkollasit që kërkojnë portën kundërshtare, teksa Ruben Danaj gjuan dhe grushton portieri kuçovar. Pas një çerek ore lojë të kontrolluar nga shënkollasit, në të 17-ën janë miqtë që zgjohen. Pepaj futet në zonën shënkollase dhe gjuan fort, por jashtë kuadratit. Më të 25’ ishte Behari për miqtë, që gati sa nuk shënoi pas një gjuajtje të fortë, por portieri Danaj grushton me vështirësi. Shënkolli e rimerr veten dhe në të 29’ ishte kapiteni Mirdita që sulmon nga e djathta dhe sapo i afrohet zonës mike gjen të zbuluar Kullin, i cili nuk gabon, duke e kaluar në avantazh skuadrën vendase, që kërkon edhe golin e dytë. Në të 39’, nga këndi Ruben Danaj godet shtyllën e djathtë të Naftëtarit, ndërkohë që edhe dy minuta para mbylljes së pjesës së parë sulmuesi lezhjan mund të realizonte. Fraksioni i parë mbyllet me fitoren minimale të shënkollasve. Në të 48’ ishte sulmuesi Danaj që i vetëm përballë portës mike nuk ia del të realizojë golin e radhës. Mbrojtësi Sadush Danaj merr stafetën dhe pas një krosi nga këndi me kokë e kalon topin ngjitur me traun e portës mike. Hyseni tremb Shënkollin, teksa godet shtyllën. Rinev Danaj është shpëtimtari i vendasve, pasi neutralizon gjuajtjen e Pepës, ndërkohë që qetësia do vinte në 75’, kur krosi i Gegës u kthye në gol nga Ruben Danaj. Sapo topi luhet nga qendra, përfitojnë miqtë dhe nga e djathta e sulmit Allkanjari ia del që të shkurtojë distancën e golave në 2-1. Është minuta e 76-të. Loja hapet dhe në minutën e 82-të ishte Kulli që gati sa nuk trefishon golat për vendësit. Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Shënkolli organizon një sulm nga e djathta dhe Gega ia del që të shënojë golin e tretë për Shënkollin. Shtesa e dhënën nuk sjell asgjë të re dhe i gjithë takimi përfundon me shifrat 3-1.
Kulli: Nënvlerësimi, e metë e skuadrës time
Trajneri i Shënkollit, Ridvan Kulli, kritikon ekipin për mentalitetin që shfaqi në ndeshjen e djeshme. “Me llogaritë tona ne jemi në rregull, por mos të harrojmë se ishte një fitore shumë vështirë për ne, ndonëse kishim përballë një skuadër që nuk kishte pikë. Të mitë nuk heqin dorë nga mentaliteti shqiptar i nënvleftësimit të kundërshtarit dhe kjo bëri që kundërshtari të luante futboll dhe të na rrezikonte shumë. Gjatë gjithë kohës së stërvitjes mundohem që këtë mentalitet ta heq, por është shumë e vështirë”, deklaroi Kulli.
Fraholli: Gjykim jo korrekt, qëndrojmë në kategori
Brajan Fraholli është i bindur se skuadra e tij qëndron në Kategorinë e Parë, ndërkohë që ka rezerva për gjykimin: “Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje mjaft të luftuar, pasi ishim përgatitur që të dilnim me fitore nga Shënkolli, por kjo nuk ndodhi. Deri diku ekipi ynë i zbatoi detyrat e ngarkuara, por nuk u shfrytëzuan rastet që u krijuan. Kam shumë rezerva për gjykimin, pasi ishte i njëanshëm. Kampionati është i gjatë dhe nëse ekipi luan si sot, sezonin e ardhshëm do të jemi në këtë kategori”, është shprehur Fraholli.