Trajneri Orges Shehi doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes Vllaznia-Tirana. Ai u pyet për situatën e skuadrës, objektivat dhe mungesat. Më poshtë deklarata e plotë e trajnerit:
Sikur të mos mjaftonin rezultatet jo të kënaqshme, keni edhe mungesa. Si duket situata?
Kemi vështirësi edhe për shkak të situatës në të cilën ndodhet e gjithë bota, jo vetëm ne, por edhe për kartonët. Me lojtarët që janë të gatshëm, besoj së mund ta përballojmë këtë ndeshje që kemi dhe që është ndeshje shumë e rëndësishme, edhe nga kundërshtarët kemi përpara, por edhe nga situata që jemi që kemi nevojë për pikë.
Jeni i shqetësuar që duhet të manovroni në rreshtim?
Sigurisht që ndihen mungesat. Na mungojnë 2 shtyllat e mbrojtjes, por do të përshtatemi me këto vështirësi, shpresoj që t’ia dalim.
Për cfarë luan Tirana?
Janë edhe shumë javë në lojë. Nuk mund të heqim dorë nga objektivat tona. Ne luajmë për t’u rikthyer aty ku duhet. Ndeshja e fundit me Teutën na ka lënë një shije jo të mirë dhe duhet të rikthejmë imazhin personal dhe të ekipit.
Ndeshja me Vllazninë?
Është ndeshje përballë një kundërshtari që ka bërë shumë mirë këtë vit. Jemi dhe duhet të sillemi si kampionët në fuqi. Duhet të hyjmë me këtë mentalitet, përballë një kundërshtari që po bën mirë. Kemi objektivat tona, është klasikja e futbollit shqiptar. Motivimi nuk mungon te asnjë.
Sa do ti mungojë Muçi Shehit?
Muçi është një lojtar me shumë cilësi, nga më të mirët dhe talenti i futbollit shqiptar. Në futbollin modern, dinamika është shumë e ndryshme. Ndryshin nga momenti në moment. Kjo lëvizja e Muçit, është lëvizje e futbollit modern. Sigurisht që do të na mungojë, sepse dihen cilësitë e tij, por duhet të shikojmë përpara me situatën ku jemi dhe lojtarët që kemi.