Shehi: Lushnjën nuk e nënvlerësojmë, Teqja është pasuesi im

Për “gardianin” e Skënderbeut, Aldo Teqja është portieri i duhur për korçarët pasi ta lerë futbollin Shehi. Ky sezon me diferenca të mëdha për bardhekuqtë

Si rallë herë gjatë këtij sezoni një ditë përpara ndeshjes së sotme ndaj Lushnjës, klubi bardhekuq ka vendosur që përpara gazetarëve të dalë kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi. Në orën 11:00 të mesditës së djeshme Shehi ka qenë përpara gazetarëve, duke folur gjerë e gjatë në lidhje me ndeshjen e sotme, për kampionatin dhe për portën e tij, teksa kur ta lerë pas përfundimit të sezonit, ka një zëvendësues dhe ai është Aldo Teqja. Sigurisht që edhe Shehi përpara gazetarëve ka bërë thirrje për kujdes ndaj Lushnjës, ndërkohë që gazeta sjell intervistën e plotë të Shehit, 24 orë përpara ndeshjes së sotme të javës së 24-t të Superligës:

-Shehi, ndeshja e kësaj jave ndaj Lushnjës duket e thjeshtë për Skënderbeun?

-Është një ndeshje ku përballen dy ekipe në pozita të kundërta në renditje, ne si kryesues dhe Lushnja e vendit të fundit. Sigurisht që ne e nisim këtë takim si pretendentë kryesor për të marrë tri pikët, por mbetet një ndeshje që kur e nis në të tilla kushte edhe mund ta pësosh, pasi një moment mund të të prishë gjithçka.

-Daja e krahason me atë ndeshje të humbur ndaj Tërbunit. Një krahasim i saktë?

-Një ndeshje e tillë kur nuk je i përqendruar 100% edhe mund ta pësosh. Ne e kemi në mendje atë takim njësoj sikur të ishte dje. Ndoshta për faktin që e kemi vuajtur vetë kur Daja nuk ka qenë pjesë e Skënderbeut. E kemi të qartë që nëse nuk e vlerësojmë sa duhet mund të bëhet e rrezikshme.

-Lushnja është një nga ato takime ku rotacioni është i mundshëm?

-Jo nuk besoj, sepse Daja e ka shprehur edhe herët e tjera se nuk është nga ata që ndryshon shpesh. Gjithmonë ka luajtur me pjesën më të madhe të titullarëve madje edhe në ndeshje të tjera. Kështu që mendoj se edhe këtë herë do të bëjë të njëjtën gjë duke hedhur formacionin më të mirë të mundshëm pavarësisht se kjo mbetet një zgjedhje e tij dhe vetëm ai e di se si do të vendosë ekipin në fushë.

-Ka pasur shumë pak hapësira për futbollistët që vijnë nga stoli. Kjo vjen edhe për shkak se Daja ka më shumë besim tek titullarët?

-Nuk mendoj se nuk ka besim te lojtarët e tjerë, pasi përderisa ata janë pjesë e ekipit kanë marrë besimin e trajnerit. Në të gjithë botën rotacioni është me pikatore pasi fillimisht kërkohet rezultati dhe ndoshta kjo është ajo që ka bërë. që të luajnë pjesën më të madhe të ndeshjeve të njëjtët futbollistë.

-Në fakt Daja ka treguar se guxon pak për rotacionin?

-Nuk besoj. Jam plotësisht i sigurt se Daja ua ka dhënë të gjithëve mundësinë dhe ata që e kanë kapur kanë arritur të bëjnë mirë.

-Teqja në portë kundër Kukësit, çfarë keni thënë kur e keni parë?

-Ndoshta “sponsorizuesi” i parë për Teqjan në portë kam qenë unë. Edhe vjet kam dashur t’i jap disa minuta, por nuk ka qenë mundësia pasi i kemi pasur të gjitha ndeshjet në fije të perit. Kurse këtë vit duke pasur parasysh distancën dhe kualitetin që ka Teqja gjërat janë më ndryshe. Unë shoh kapacitet të madh tek ai dhe e kam thënë shumë herë të tjera se kur të largohet Shehi, Skënderbeun nuk ka nevojë për portier, pasi ka Teqjen.

-Pra ju i keni thënë Takajt se Skënderbeu nuk pse kërkon portier tjetër?

-Sigurisht unë flas shpesh me presidentin dhe ja kam thënë shumë herë mendimin tim. Duke u nisur nga cilësitë dhe vlerat që ka besoj se është i duhuri për portën e Skënderbeut.

-Është lakuar Selmani, në gjykimin tuaj është portieri i duhur për Skënderbeun?

-Tani po e dëgjoj të lakohet emri i tij si alternativë. Nuk e di dhe nuk mund të flas për të tjerë, pasi Skënderbeu i ka në klub portierët.

-A mund të shijojë kampionati me këtë diferencë pikësh?

-Gjithmonë kampionati të shijon shumë por duke pasur këtë diferencë të heq pak emocionet e titullit. Por besoj se kjo diferencë në anën tjetër na bën mirë pasi ne këtë objektiv kishim që në fillim, për të dominuar kampionatin.

-Kjo diferencë vjen si pasojë se rivalët kanë gabuar?

-Unë do të thosha se kjo diferencë është fryt i punës së jashtëzakonshme që kemi bërë. Duke filluar edhe nga Europa e deri në këtë javë të kampionatit, janë të pakta ato ekipe që dinë të bëjnë një rrugëtim të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *