Xherdan Shaqiri nuk po arrin dot të gjejë hapësira në ekipin e Liverpool-it, pasi konkurenca për një vend titullari në një klub të tillë është tepër e lartë. Lojtari është aktivizuar nga trajneri Klopp vetëm në 4 ndeshje në kampionatin anglez dhe kjo ka ndodhur duke ardhur nga stoli si zëvendësues në pjesën e dytë. Ndërsa në ndeshjen e fundit në Champions League është hedhur në lojë në minutën e 87.
Mungesa e minutave në fushë nuk i ka lënë një shije të mirë sulmuesit shqiptar, i cili së fundmi e ka shprehur haur pakënaqësinë e tij lidhur me këtë çështje, duke thënë se kjo situatë është shumë e vështirë për të.
“Nuk është e lehtë për mua, sigurisht që jam paksa i mërzitur. Duhet të jem në gjendje ta pranoj dhe ta përballoj këtë situatë. Nuk mund t’i kërkoj trajnerit që të luaj çdo ndeshje”, ka thënë Shaqiri.
Por përveç pjesës së mosaktivizimit, Shaqiri thotë se ambient përreth në ekipin e Liverpool është mjaft i mirë.
“Ndihem mirë këtu. Kemi një trajner të madh dhe një klub të madh. Ekziston një ndjenjë si të jesh në familje. Shpresoj se mund ta sjellim Premier League-n në Liverpool pas 30 vitesh”, shtoi sulmuesi i Liverpool./Sport Ekspres/