Kapiteni i Kukësit, Ylli Shameti, i kontaktuar nga gazetari i Sport Ekspres në “Loro Boriçi”, ka folur pas barazimit ndaj Karabakut, mjaft i kënaqur nga loja dhe sidomos soliditeti i skuadrës në një përballje aspak të lehtë.
I kënaqur me këtë rezultat?
Barazimi 0-0 me Karabakun është i rëndësishëm. Sepse, vetëm një gol mund të ndajë gjithçka. Objektivi ishte të mos pësonim dhe ia arritëm.
Sa beson se mund të përsëritet Valeta?
Padiskutim, shpresojmë të gjithë. Do të përgatitemi për atë ditë. Urojmë të kemi fatin, si në Maltë. Ne duhet t’i bëjmë hyzmetin dhe të shohim.
Shameti si vera. Sa më e vjetër, aq më e mirë…
Shpresoj të vazhdoj sa më gjatë kështu, duke i shërbyer klubit dhe vetes. Futbolli nuk ka moshë, nëse stërvitesh dhe je në maksimum.
Sot u pa një skemë shumë mbrojtëse. Si u ndjetë në një qendër me tre?
Një lojtar më shumë në repartin e mbrojtjes. U përshtata shumë dhe duhet thënë që kundërshtari nuk na rrezikoi asgjë. Shpresojmë që në Azerbajxham të luajmë njësoj.
Përballja me Agollin?
Kënaqësi që të përballesh me një futbollist si Ansi, që ka veshur fanellën e kombëtares shumë vite duke qenë edhe kapiten, por që luan në nivele të larta. i shtrëngova dorën në fund dhe i thashë, shihemi në Azerbajxhan.
Intervistoi: JURGEN ZELA