Përkrah trajnerit Mlladen Milinkoviç ishte mbrojtësi Ylli Shameti. Gjirokastriti ishte i prerë në lidhje me ndeshjen me Partizanin, teksa është i bindur se skuadra e tij do të rikthehet te suksesi. Në lidhje me ecurinë e ekipit, e pranon se ka ndikim dhe ana psikologjike, megjithatë beson se një fitore me Partizanin do të ishte ilaçi për të gjetur vazhdimësinë.
Riktheheni pas tre javësh mungesë, si e keni parë ecurinë e skuadrës nga jashtë fushe?
Ishte hera e parë që qëndrimi kaq gjatë larg fushave të futbollit për shkak të një dëmtimi që ishte i rrallë dhe i rëndë. Po punoj shumë që të arrij formën time optimale dhe maksimale dhe të ndihmoj ekipin sa më shumë. Për ecurinë e Kukësit besoj se kemi bërë mirë, por kemi bërë disa gabime që nuk duhet të ishin bërë, por futbolli i tillë është. Besoj se jemi aty-aty me ecurinë e një viti më parë, por ndryshimi është diferenca me Skënderbeun, i cili ka bërë më mirë se vjet. Kjo do të thotë se ata kanë bërë më mirë se ne. E rëndësishme është që të bëjmë sa më pak gabime në vazhdimësi dhe mendoj se do të risim akoma më shumë lojën dhe do të arrijmë te rezultatet.
Kalendari a vjen e vështirësohet, sa e ndërlikon kjo ecurinë?
Këto janë ndeshje që do të zhvillohen. Kjo duhet të na motivojë që të kemi një marsh më shumë sepse ky kampionat është shumë i fortë. Ne duhet të bëjmë punën tonë si brenda dhe jashtë fushës, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë rezultatin maksimal.
Mungesa e rezultateve pozitive mund të bëjë që lojtarët të mos shprehen lirshëm në fushën e lojës?
Të them ‘jo’, do të gënjeja. Nëse një ekip ndërtohet për të marrë titullin kampion, pa diskutim që duhet të ketë rezultate pozitive dhe të ketë optimizëm si në stërvitje ashtu dhe në ndeshjen pasardhëse, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të ulim marshet dhe të shohim me pesimizëm pjesën e mbetur të kampionati, pasi është shumë herët. Duhet të bëjmë maksimumin në fushën e lojës dhe rezultatet e mira do të vijnë.
Partizani vjen në një moment të keq, e shihni si avantazh, duke qenë se e prisni dhe në fushën tuaj?
Avantazhi ynë është se jemi të bashkuar dhe ta kthejmë këtë moment jo shumë pozitive me tre barazimet e fundit në një shtysë akoma më të madhe. Nuk duhet ta importojmë krizën e Partizanit te vetja jonë. Të shfrytëzojmë faktorin fushë dhe një tre pikësh me Partizanin do t na sillte qetësinë dhe optimizmin për ndeshjet e radhës.
Mungon Çani, Sukaj nuk është në formën e tij, kush mund t’iu vërë më shumë në vështirësi?
Partizani ka dhe lojtarë të tjerë kualitativë, që mund të bëjnë diferencën nga momenti në moment, ndaj çdo lojtari duhet t’i japësh rëndësinë e duhur.
A e sheh të nevojshme ardhjen e disa lojtarëve të rinj?
Këto i takojnë presidentit dhe stafit teknik. Shametit i është dashur gjithmonë të japë maksimumin e tij dhe të bëjë detyrën në fushën e lojës. Kushdo që të vijë apo largohet u takon drejtuesve. Ne jemi punëtorë që i shërbejmë objektivit të klubit.
Partizani apo Kukësi, kush është më në presion për këtë ndeshje?
Të dyja skuadrat janë mësuar të jenë lart në renditje, jo me këtë diferencë me Skënderbeun, aq më tepër ne kemi presionin e pikëve pasi vijmë nga tre barazime dhe luajmë në shtëpi e na duhet me çdo kusht fitorja. Partizani logjikisht ka një periudhë të gjatë që kanë probleme dhe kanë të drejtën e tyre legjitime që të synojnë edhe të marrin maksimumin e tyre dhe të marrin maksimumin në fushën tonë. Por, unë mendoj se në atë ndeshje do të ketë vetëm një fitues dhe do të jetë Kukësi.