Shameti dy javë jashtë, Kukësi mbetet zbuluar prapa

Ylli Shameti kishte pësuar frakturë në dorë, megjithatë sakrifikoi ndaj Kamzës, por një goditje e detyron gjirokastritin të qëndrojë jashtë dy javë

Jurgen Zela

Ylli Shameti është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kukësit, por kampionët nuk do ta kenë për dy javët e ardhshëm të gatshëm kapitenin e tyre. Qendërmbrojtësi kishte pësuar që në ndeshjen me Flamurtarin një krisje në dorë, megjithatë vendosi të sakrifikonte në ndeshjen e fundit përballë Kamzës, duke luajtur me dorën në allçi. 33-vjeçari nuk rezistoi më shumë se 53 minuta, pasi gjatë ndeshjes pati mjaft dyluftime të ashpra dhe gjendja iu përkeqësua. 8 minuta pasi kishte nisur fraksioni i dytë i lojës ai la fushën, për t’u zëvendësuar nga Hoxha. Shameti, autor i një goli këtë edicion, ka bërë dje analizat e specializuara, që nuk kanë sjellë lajme të mira për Kukësin. Fraktura në dorë është përkeqësuar dhe tashmë Shametit do t’i duhet të qëndrojë pushim për afro dy javë. Në të tilla kushte, Shameti do të humbasë ndeshjen e mesjavës në kupë me Tiranën, dhe ato të radhës në kampionat me Partizanin dhe Laçin. Gjirokastriti këtë sezon ka luajtur në 11 takime me kuksianët.

PROBLEMATIKA NË MBROJTJE

Probleme për trajnerin Peter Pakult, i cili nuk ka në dispozicion as Albi Allën dhe tashmë sheh dhe kapitenin të shkojë në infermieri. Ka vetëm Rustem Hoxhën në dispozicion për qendrën e mbrojtjes, ku i duhet që të vijojë të aktivizojë Besar Musollin. Mesfushori ka sakrifikuar në tre takimet e para të këtij viti dhe duket se do ta bëjë diçka të tillë dhe në ndeshjet e ardhshme. Kukësi po vuan në prapavijë, pasi që pas ndeshjes me Vllazninë ka pasur probleme sa i përket këtij reparti. Tashmë në Kukës shpresojnë të mos kenë më dëmtime apo pezullime në mbrojtje, sepse do të ishte një problem shumë i madh për ta. Sytë janë nga Alla, për të cilin shpresohet të rikuperohet që këtë javë, por ende nuk dihet me siguri. Edhe pse në konferencën e zakonshme për shtyp u pyet në lidhje me faktin se do t’i duhej edhe një qendërmbrojtës, trajneri Pakult u shpreh se ka mjaftueshëm alternativa, gjithnjë duke iu referuar lojtarëve, që mund të përshtaten si qendërmbrojtës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *