Shaland “tregon dhëmbët”, lë jashtë yllin e Kosovës

Një skuadër me shumë talent në fazën ofensive, por ende në kërkim të stabilitetit në fushë dhe mbi të gjitha jashtë. Te Kosova rikthehen problemet me yjet e ekipit, diçka me të cilën përfaqësuesja më e re në kontinent u përballën gjatë debutimit zyrtar në arenën ndërkombëtare, në kualifikueset e Botërorit 2018.

Në atë periudhë, trajner ishte Bunjaki, ndërsa emra si Besart Berisha dhe Alban Meha deklaruan se nuk do të luanin më me Kosovën, deri sa ai të qëndronte ne stol. Tani, kur trajner është Bernard Shaland, e njëjta situatë përsëritet me Bersant Celinën. Mesfushori i rritur në akademinë e Mançester Sitit, i cili aktualisht luan te Suonsi, ka shprehur pakënaqësi për aktivizimin.

Celina luajti 70 minuta ndaj Azerbajxhanit, ndërsa nuk u altivizua në fitoren ndaj Ishujve Faroe. Pas kësaj, lojtari i kërkoi trajnerit “garanci” për aktivizimin, si mënyrë që t’i përgjigjet ftesave. I gjendur përballë kësaj situate të pakëndshme, Shaland duket se ka vendosur të mos e grumbullojë 22-vjeçarin për ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve me Maltën dhe Ishujt Faroe.

Një mënyrë me të cilën Shaland kërkon t’i japë një mesazh Celinës, por edhe të gjithë lojtarëve: Kosova dhe grupi janë përpara çdo individi. Për më tepër askush nuk mund të vendosë kushte aktivizimi për trajnerin. Mesazhi u transmetua dhe “dënimi” pritet të jetë vetëm për këto dy ndeshje, me Celinën që besohet se do të rikthehet te “Dardanët” në ndeshjet e nëntorit përballë Maltës dhe Azerbajxhanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *