Bernard Shaland, trajneri i Kosovës, është nga ata që nuk i pëlqen të bëjë shumë llogari. Tekniku zviceran mendon si të fitojë ndeshjet një e nga një dhe pret që skuadra e tij thjesht të luajë ashtu siç di, pa iu trembur asnjë kundërshtari.
“Asnjë herë nuk kam menduar se mund t’i bëjmë 10 pikë, apo 8 pikë. Nuk e di sa na duhen për t’u kualifikuar, por duhet vetëm të fitojmë. Për mua vetëm një gjë është me rëndësi, mënyra si do fitojmë. Duhet të luajmë me mënyrën tonë. I respektoj kundërshtarët, por nuk i kam frikë”, shprehet Shaland për RTK.
Shaland shton: “Ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë nuk janë vendimtare, por një mundësi e mirë për të përparuar. E rëndësishme është të luajmë me filozofinë tonë, të bëjmë mirë. Nuk flas për pikë dhe rezultate para ndeshjeve, ato janë ekipe të forta. Është mundësi për të treguar se çfarë mund të bëjmë. Nuk kemi presion aspak”.
Më pas ai flet edhe për prurjet e reja në përfaqësuesen dardane: “ Jam i lumtur që e kemi Hadërgjonajn, është lojtar i mirë dhe mund të na ndihmojë. Problemi i vetëm është se nuk ka luajtur 6-7 javët e fundit, por është stërvitur. Dresheviç dhe Ibrahimaj janë dy lojtarë të rinj. Do shoh mentalitetin e tyre dhe si do integrohen në ekip. Është mirë për mua dhe ekipin t’i kemi dy lojtarë të rinj në skuadër”.
Treshja e sulmit, Rashica-Muriqi-Zeneli e kanë mbyllur sezonin me paraqitje shumë të mirë dhe normalisht Shaland ndihet mirë për këtë: “Jam i lumtur me një pjesë të lojtarëve, po bëjnë shumë mirë në gjysmën e dytë të sezonit. Muriqi, Rashica dhe Zeneli kanë qenë të shkëlqyer. Por kemi edhe dëmtime dhe duhet të shoh kush është gati. Stërvitjen me ekipin janë të rëndësishme për ta parë diçka të tillë”.