Ende pa trajner pas largimit të Mlladen Milinkoviçit, Kukësi ka lënë me pushime lojtarët dhe ndërkohë vazhdon kërkimin për trajnerin e ri. Në listë ka shumë emra, por duket se kriteri i parë i Kukësit është që të punësojë trajner të ardhur prej jashtë Shqipërie.
Pas takimeve apo kontakteve me disa emra, Sport Ekspres mëson se në listë janë shtuar edhe emra të huaj, me CV mjaft të rëndësishme, ndaj tani në “pole” kanë kaluar dy trajnerë spanjollë dhe një kroat.
FERRANDO – Sezar Ferrando Gimenez është 58 vjeç, ka drejtuar Albaseten për herë të fundit, vitin e shkuar, por në CV ka mbi të gjitha një emër që bie në sy: ka drejtuar Atletikon e Madridit në sezonin 2004/2005. Mjafton kaq që Safet Gjici të joshet.
PEPE MURSIA – Trajneri 53-vjeçar është gjithashtu një emër shumë i njohur në Spanjë dhe ka drejtuar edhe Atletikon e Madridit në vitin 2006, për 19 ndeshje, në pjesën e dytë të sezonit. Në CV edhe Selta Vigo apo Levski, ndërsa këtë vit ka punuar me sukses në Katar, duke ngjitur në Divizionin 1 Al Shahanijan. Ky është edhe emri më i favorizuar në garën për stolin e kampionëve në fuqi, mëson Sport Ekspres.
MARIJO TOT – Trajneri 45-vjeçar nga Kroacia ka drejtuar edhe Dinamon e Zagrebit në karrierën e vet, ndërsa vitet e fundit ka udhëtuar disa herë për të punuar në Kinë. Është një tjetër emër në tryezë për Kukësin, trajner me CV impresionuese.