“Sezonin e shkuar kishin turp të thonin se jemi tifoz të Tiranës“, Alesio Abibi: E di sesa kanë vuajtur

Nga Klaudio Ndreca

Alesio Abibi nuk arriti që të siguronte vendin e titullarit të paprekshëm te Tirana, ndërsa mori një aventurë të re në Itali. Aktualisht është pjesë e skuadrës Cavese, që luan në Serinë C të Italisë. Ndërkohë kur i rikthehet bardhebluve, Abibi ka shumë për të treguar. Për ta nisur që nga momenti i artë që po përjetojnë, ndërsa portieri shprehet se në sezonin e shkuar, tifozët e kishin për turp që të shprehnin hapur mbështetjen e tyre për Tiranën. Gjithashtu duke treguar se këtë skuadër e ka përdorur si trampolinë, për të shkuar në Europë. Këto kanë qenë fjalët e Abibit për “Zona Gol”, ku mes të tjerave veçon:

“Po Superioren e kam ndjekur kur kam pasur mundësi. Gjithmonë flas me shokët aty dhe ajo që duket është një entuziazëm i kthyer. Tani shumë veta e thonë që ne jemi tifoz të Tiranës, se në sezonin e shkuar e kishin për turp. E di sesa kanë vuajtur dhe është investuar aty. Unë e kam përdorur si trampolinë që të mbërrija në Europë. Fola edhe me presidentin Halili që më lejoi, pasi më kishte mbetur edhe një vit kontratë. Pra e shfrytëzova mundësinë për të dalë jashtë Shqipërisë, megjithëse disa mund të mendojnë se u largova për gabimet që kam bërë”, tha Abibi. /Sport Ekspres/