Futbolli Italian ka mbetur në një kaos. Sapo gjendet gjuha e përbashkët për t’i dhënë zgjidhje përfundimit të sezonit rrjedha nis të shkojë për keq, duke bërë hapa pas. Sipas dekretit të ri të firmosur nga kryeministri italian, Conte, asnjë aktivitet sportive nuk do të mund të zhvillohet deri në datën 14 qershor, qoftë edhe pas dyerve të mbylluara. Në këto kushte presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gravina, ka njoftuar ditën e sotme se Serie A nuk do të zbresë në fushë deri në datën 14 të muajit të ardhshëm.
Një lajm aspak i mirë ky, teksa në Itali kishin caktuar datën 13 qershor për të rinisur sërish nga aty ku e lanë. Por ky plan hidhet poshtë nga vendimi i fundit, duke bërë që alternativa e mbetur të jetë ajo e 20 qershorit. Megjithatë kjo datë ishte skenari i fundit i Serie A dhe nuk do të jetë shumë i pëlqyeshëm nga futbollistët, të cilët tashëm duhet të luajnë dy herë në javë për të përfunduar sezonin brenda afateve të UEFA-s./Halit Delibashi-Sport Ekspres/