“Serbët e Rubinit nuk do ta falin kurrë Mirlind Dakun”! Trajneri në Rusi: Si do ndiheshe ta bënin ty?

Çështja e Mirlind Dakut vazhdon të diskutohet në Rusi, pavarësisht se kanë kaluar shumë kohë që nga ndeshja Shqipëri-Kroaci. Në atë ndeshje, më saktë pas përfundimit të takimit, Mirlind Daku ka marrë megafonin dhe ka nxitur tifozët që të këndojnë kundër fqinjëve tanë. Për këtë arsye sulmuesi shqiptar është përballur me momentin më të vështirë të karrierës, veçanërisht për faktin që luan në Rusi dhe dihet marrëdhënia e tyre me serbët.

Në një intervistë të fundit për mediat në Rusi, trajneri malazez, Zeljko Petrovic, është shprehur se serbët Rubin Kazanit nuk do ta falin kurrë Dakun për atë që bëri. “Unë nuk i kuptoj lojtarët modernë, nuk do ta bëja kurrë diçka të tillë për vete. Kam luajtur në Jugosllavi në kohët më të vështira për vendin. Nga Mali i Zi u transferova në Dinamon e Zagrebit dhe mori shumë kritika për këtë. Por ti je sportist, duhet ta tregosh veten në fushë me top, jo jashtë saj. Futbollistët modern nuk janë mësuar të flasin kështu dhe të sillen si budallenj.

Daku, nuk e di se çfarë ka ndodhur me të, bëri një marrëzi. Nuk je sportist nëse bën gjëra të tilla. Unë kam punuar në shumë vende, secili me zakonet e tij, por nuk kam pasur probleme askund. Detyra jote është të luash futboll dhe të jesh korrekt, jo të bësh lloj lloj budallaqesh. Dyshoj se serbët e Rubin Kazan do ta falin Dakun. Marrëdhënia e tyre nuk do të jetë kurrë më e njëjtë pas asaj që ndodhi. Edhe nëse serbët do ta kishin bërë këtë veprimin e Dakut, si do të ndihej Daku”, tha trajneri malazez. /Elio Hajdari-Sport Ekspres//