Seleksionimi i talenteve, Bushi: Shumë talente sidomos në Itali. Problem, ndërhyrjet e prindërve

Në dy muajt e fundit janë zhvilluar seleksionime në Shqipëri dhe jashtë saj me të rinj të datëlindjeve 2000 e deri te datëlindja 2006. 2785 lojtarë janë vëzhguar nga trajnerë të ekipeve kombëtare të moshave në FSHF.

Trajneri i kombëtares U-21 Bushi ka folur sot në konferencë për shtyp në lidhje me këtë çështje, duke qenë krah trajnerit të U-17 Xhemal Mustedanagiç.

“Dikur ishte Zvicra me më shumë prurje, tani është Italia. Ndoshta ngaqë punohet më mirë, sidomos taktikisht. Në Itali ka më shumë fëmijë shqiptarë që luajnë futboll. Lojtarët që rriten në Shqipëri kanë shumë talent, por duhet të kenë më shumë ritëm dhe të rriten fizikisht. Interesimi ishte i madh nga zona e Zvicrës, kurse nga zona e Greqisë dhe e Italisë nuk kishte futbollistë nga Kosova. Kualifikimi në Europian ka patur ndikim, ndaj ata duan të përfaqësojnë Shqipërinë. E ardhmja është e mirë, kemi parë futbollistë pa fund dhe i kemi të gjithë në fokus, sepse është një punë në vazhdimësi, ka lojtarë që nuk duken të shkëlqyer njërin vit, por kanë hedhur hapa gjigantë deri në vitin pasardhës”.

Fiorin Durmishaj kërkohet nga Greqia? “Janë vetëm lajme mediatike. Durmishaj nuk është kontaktuar nga Federata Greke. Edhe nëse do ta bënin, ai do të refuzonte. Neve nuk na kanë ikur lojtarë nga kombëtarja e sigurisht edhe Durmishaj nuk do të largohet. Edhe ai është i habitur nga këto zëra, i ka lexuar vetëm në gazeta.”

Problemi që shqetëson Bushin: “Kam 4 vite që punoj me moshat në Shqipëri dhe prindërit janë problemi kryesor. Na ka zënë tmerri, ata duhet ta kuptojnë që nuk duhet të ndërhyjnë, sepse janë një problem i madh, shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve duke kërkuar me çdo kusht të aktivizohet fëmija i vet”.

Mustedanagiç: Kemi parë talente, së shpejti deri tek U-21

Trajneri i Shqipërisë U-17, Xhemal Mustedanagiç, ka pasur fjalë mjaft të mira për futbollistët që ka vëzhguar në javët e fundit.

“Kam parë shumë të rinj të talentuar. Disa prej tyre do të jenë në ekipet e moshave dhe tek U-21. Nëse çdo vit nxjerrim një lojtar për Kombëtaren A, jemi të suksesshëm. Nëse për çdo përfaqësuese moshash zbulojmë 2 lojtarë, do të ishte fantastike. Në Shqipëri po dalin gjithnjë e më shumë lojtarë të talentuar. E kam thënë që Shqipëria do të jetë faktor i rëndësishëm në Europë dhe kjo ndodhi. E kisha thënë që për 4-5 vjet do të jetë mes 20 ekipeve më të mira, sepse e shoh që ka talente. Në të ardhmen do të jemi kombëtare shumë e fortë.

“Gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Shqipëria ka qenë si ekip i dytë për lojtarët që vinin nga Italia, Zvicra dhe Greqia. Mund t’ju them se për ta Shqipëria do të jetë zgjedhje e parë. Po zvogëlohet diferenca mes lojtarëve që luajnë jashtë me ata që janë këtu. Kjo tregon se po punohet mirë, kuptohet edhe me përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës. Profesor Astrit Maçi ka bërë një punë të madhe në edukimin e trajnerëve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *