Seleksionimet me lojtarët që jetojnë jashtë, Drejtori Teknik Pea: Mundësi për të zbuluar elementë për ekipet Kombëtare

Kanë nisur këtë të hënë seleksionimet me futbollistët e rinj shqiptarë që jetojnë në Europë, SHBA dhe kudo në botë. Duke nisur nga sot e deri ditën e enjte, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” do të provohen të gjithë lojtarët e vitlindjes 2006-2009 të ardhur nga jashtë shtetit që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e seleksionimit të organizuar nga FSHF. Sot që në orët e para të mëngjesit janë paraqitur rreth 106 lojtarë të vitlindjes 2006-2007 dhe gjatë gjithë ditës do të monitorohen nga trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave si dhe nga Drejtori Teknik i FSHF-së , Fulvio Pea së bashku me Përgjegjësin e Sektorit të Skautizmit dhe Përgjegjësin e Portierëve.

Dita e sotme nisi me një seancë stërvitore dhe menjëherë më pas futbollistët e rinj janë ndarë në 10 grupe për të zhvilluar ndeshje testuese. Gjatë gjithë ditës do të zhvillohen në total pesë ndeshje dhe të gjithë futbollistët do të kenë mundësi për treguar cilësitë e tyre në fushë.

Në një prononcim të dhënë për fshf.org Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea tregoi objektivin kryesor të këtij seleksionimi. Ai tha se qëllimi kryesor është për të parë nga afër futbollistët e këtyre grupmoshave, që do të vlerësohen nga trajnerët e ekipeve Kombëtare si dhe nga Departamenti i Skautizimit për të përzgjedhur lojtarë që mund të shërbejnë në të ardhmen për ekipet tona Kombëtare.

“Pas suksesit të Kombëtares sonë, FSHF ka organizuar një open-stage për t’i dhënë mundësinë të gjithë të rinjve që jetojnë larg Shqipërisë të kalojnë një ditë të bukur në këtë qendër të bukur sportive dhe mbi të gjitha t’i japë mundësi të rinjve që të veshin për një herë të vetme fanellën e kombëtares shqiptare. Ndër të tjera, ky open-stage shërben edhe për skautët, për të vlerësuar dhe analizuar nëse ka të rinj premtues për t’i grumbulluar në të ardhmen me ekipet tona kombëtare.

Dita e sotme do të vlerësohet dhe analizohet nga të gjithë trajnerët e ekipeve tona kombëtare si edhe nga ata që janë përgjegjës në Departamentin e Skautizmit. Sepse në këto aktivitete provohen lojtarët që kanë aftësi dhe mundësi e që ne mund t’i përdorim në grumbullimet e ardhshme të ekipeve tona kombëtare. Ky open-stage është i hapur për të gjithë djemtë e lindur në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009 që vijnë nga jashtë vendit, nga Amerika, Gjermania.. nga vende e kontinente të ndryshme” – përfundoi pronocimin e tij Drejtori Teknik i FSHF-së. Nesër do të jetë dita e dytë e seleksionimeve dhe do të kenë mundësi të provohen një pjesë e lojtarëve të vitlindjes 2008-2009.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *