Sekretari i Përgjithshëm i Ligave Europiane, Colombo na vlerëson: Futbolli në Shqipëri ka bërë hapa madhorë përpara, ndihmojmë klubet të rriten profesionalisht

Sekretari i Përgjithshëm i European Leagues (Ligave Europiane), Alberto Colombo, zhvilloi një vizitë pune në Shqipëri, ku u takua me drejtuesit më të lartë të FSHF-së dhe me anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit në vendin tonë.

Fillimisht, Colombo u prit në një takim në Shtëpinë e Futbollit nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ndërsa pati mundësinë të bënte edhe një tur për t’u njohur më nga afër me muzeun dhe mini-stadiumet që ndodhen brenda kompleksit e që janë thuajse të përfunduara.

Në këtë takim ai njoh me zhvillimet e futbollit shqiptar, projektet e FSHF-së si edhe me mbrojtjen e të drejtave të futbollit vendas, klubeve, lojtarëve dhe të tifozerisë. European Leagues është një nga organizatat më të rëndësishme të futbollit në Europë që ka mbi 40 anëtarë e që bashkëpunon ngushtë me UEFA-n. Colombo vlerësoi rritjen e futbollit shqiptar dhe punën që po bëhet për forcimin e LPF-së dhe organizimin e klubeve në një institucion që mbron e promovon të drejtat e tyre me synimin për të arritur një nivel sa më të lartë profesional.

Më tej, Albert Colombo zhvilloi një vizitë edhe në kompleksin “Partizani” ku u prit nga drejtuesit e klubit kryeqytetas dhe u njoh me investimin madhor të kryer, që konsiston në stadiumin e ri, dy fushat e reja stërvitore që po ndërtohen edhe me mbështetjen e FSHF-së apo hotelit të klubit. Sekretari i Përgjithshëm i European Leagues u shfaq i impresionuar për këtë investim dhe shprehu bindjen se vepra të tilla do ta ndihmojnë shumë klubin e Partizanit në veçanti, por edhe futbollin shqiptar në përgjithësi që të rritet vazhdimisht.

Në vijim vizita u spostua në stadiumin “Air Albania”, aty ku Alberto Colombo zhvilloi një takim me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, Kryetarin e LPF-së, Edvin Libohova, Sekretarin e Përgjithshëm të LFP-së, Dritan Kadia dhe përfaqësuesit e 10 klubeve anëtare të ligës.

Gjatë takimit u diskutua për benefitet e anëtarësimit të LPF-së në Ligat Europiane dhe për mbështetjen konkrete që organizata e njohur ndërkombëtare mund t’u japë klubeve shqiptare, anëtare të LPF-së.

“Qëllimi kryesor i FSHF-së, i LPF-së dhe gjithkujt që merret me futbollin është zhvillimi i futbollit, i futbollit të fëmijëve, sigurimi i të ardhmes, por gjithsesi hapi i parë krijimit të Ligës padyshim që ka qenë bashkimi i klubeve të “Abissnet Superiore”. E mira dhe perspektiva do të ishte bashkimi i të githë klubeve profesioniste, sepse të gjithë duhet të bashkojnë forcat për të pasur më shumë të ardhura”, – tha Presidenti Duka.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i EL, Alberto Colombo, vlerësoi mundësinë për t’u takuar me drejtuesit e klubeve dhe gjithashtu u shpreh i impresionuar për zhvillimet që ka pasur futbolli shqiptar si edhe për mbështetjen që FSHF po i jep rritje së Ligës Profesioniste të Futbollit.

“Ishte një takim interesant, mundësia e parë për Ligat Europiane që të zhvillonim këtë vizitë në bashkëpunim me Ligën Profesioniste të Futbollit. Kemi përgëzuar iniciativën për krijimin e kësaj lige, pasi është një hap thelbësor në procesin e zhvillimit të futbollit profesionist në Shqipëri, duke punuar së bashku nën kujdesin e Ligës. Ishte shumë interesante për mua të kuptoja se bashkëpunimi mes klubeve, Ligës dhe FSHF-së shkon në të njëjtin drejtim. Sigurisht jam shumë i kënaqur që kam parë nga afër zhvillimin madhor të futbollit në Shqipëri. Kam vizituar kompleksin Shtëpia e Futbollit, ku janë edhe zyrat e FSHF-së, stadiumet e reja, siç është ‘Air Albania’ apo edhe stadiumin e ri të Partizanit. Të gjitha këto zhvillime po e çojnë futbollin shqiptar në drejtimin e duhur. Jemi shumë të lumtur që LPF-ja ka vendosur të bëhet anëtare e Ligave Europiane dhe ne besojmë se ky hap do t’i ndihmoj klubet të rrisin më tej standardizimin e futbollit profesionit në vend”, – tha Colombo në një prononcim gjatë takimit.

I pyetur për mesazhin që ai ka për klubet shqiptare, përfaqësuesi i Liga Europiane theksoi se është e rëndësishme që të punohet së bashku për të rritur nivelin e profesionalizmit dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura përmes të drejtave komerciale.

“Unë mendoj se kjo është një mundësi unike me krijimin e Ligës që të ecim bashkë për profesionalizimin e futbollit dhe është e rëndësishme që vazhdojmë bashkëpunimin me FSHF-në, por klubet në të gjithë Europën, jo vetëm në Shqipëri, duhet të mendojnë në mënyrë më të pavarur për të gjeneruar të ardhurat e tyre, të investojnë në infrastrukturën e tyre në drejtim të ambienteve dhe në futbollin e të rinjve dhe të ecin bashkë për të krijuar një nivel më të lartë konkurrence. Vendimi i klubeve në bashkëpunim me FSHF-në për të krijuar Ligën është i duhuri. Futbolli profesionist nëpër Europë po punon nën ombrellën e një lige kështu që vendimi për të krijuar LPF-në dhe për t’u bërë anëtare e Ligave Europiane do të sjellë benefite në aspektin e politikave institucionale, por edhe në aspektin e çështjeve komerciale në drejtim të gjenerimit në të ardhmen të të ardhurave për futbollin në vend”, – tha Alberto Colombo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online